Bilanci i dëmeve paraprake, Niko Peleshi: 8900 ha tokë janë përmbytur, 46 banesa janë evakuuar

Shqipëria

Bilanci i dëmeve paraprake, Niko Peleshi: 8900 ha tokë janë përmbytur, 46 banesa janë evakuuar

Më: 11 janar 2021 Në ora: 21:21
Niko Peleshi

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në studion e Euronews Albania tha se dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në krahasim me vitin 2010 janë shumë herë më të ulëta.

Ai tha se ka pasur një bashkërendim forcash me shtabet bashkiake, gjë e cila ka reflektuar një menaxhim më të mirë të situatës, pavarësisht se përmendi faktin se rreziku i përmbytjeve është ende prezent.

“Ka qenë disa ditë intensive. Së pari, duhet të përmendin punën e shtabeve bashkiake dhe të prefekturave. Ka pasur një bashkërendim të shtabeve në Shkodër, Dibër, Lezhë, Fier, Vlorë, Durrës dhe Gjirokastër, Tiranë, ku rreziku ka qenë më i madh. Është hera e parë që vihet re një bashkëpunim në këtë nivel. Krahasuar me prurje e 2010, këto shifra (të dhënat e përmbytjeve) janë fare modeste”, tha ai.

Përballë gazetares Bruna Çifligu, ministri Peleshi bëri një bilanc paraprak të sipërfaqeve të përmbytura dhe banesave të evakuuara për shkak të ujit.  Ai u shpreh se aktualisht në të gjithë vendin janë rreth 8900 hektarë tokë, që janë përmbytur dhe 46 banesa të evakuuara në qarkun e Lezhës.

“Janë 8900 ha të përmbytura sot që flasim. Janë evakuuar 46 banesa. Numri më i madh i banesave të evakuuara janë në Lezhë. Pjesa më e madhe e tyre janë strehuar tek të afërmit. Kemi pasur një situata kritike në Lezhë, ku disa ndërtime informale janë bërë problem. Janë gjashtë objekte. Janë strehuar tek familjarët. Ka disa argjinatura të dëmtuara. Puna e bërë për pastrimin e Drinit të Lezhës ka sjellë një situatë të përmbytjeve shumë herë më të vogël”, shtoi Peleshi.

Ministri tha se Shqipëria numëron dy vende, ku sipas Peleshit rreziku i përmbytjeve është tepër i madh.

“Ne rrezikun e kemi tek pjesa e NënShkodrës dhe në Lumin e Vjosës. Të mbash një lumë të egër në mes Shqipërisë, do të thotë të mbash edhe faturën e dëmtimeve që mund të ketë. Lumi Vjosë nuk ka dalë nga shtrati dhe kjo është pozitive. Vendi ynë është i ekspozuar ndaj përmbytjeve. Ajo që në kemi sot në dorë është të mund të bëjmë më të mirën.”, shtoi ai.

Duke folur për prurjet në kaskadën e Drinit, ministri Peleshi shtoi se në Liqenin e Fierzës nuk ka pasur shkarkime, çka tregon se aktualisht situatë është nën kontroll.

“Shumë lumenj kanë rënë në shtratin e tyre. Kemi prurja të larta në kaskadën e Drinit. Fierza ka punuar me porta të mbyllura. Janë ulur reshjet, por po mbushet me shpejtësi Fierza, dhe këtë duhet ta themi. Kemi akoma një rezervë prej disa metrash në Liqenin e Fiezës. Ftohet moti, fillon bora,  ulja e temperaturave dhe nuk ka prurje në ditët në vijim, çfarë na jep mundësinë të prodhojmë në Fierzë. Deri tani menaxhimi ka qenë perfekt nga KESH, gjë që na ka dhënë dorë për të mos pasur dëme”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat