Gjurmimi i parave të pista, shqetësim pasuritë e krimit jashtë vendit e presioni ndaj drejtësisë

Shqipëria

Gjurmimi i parave të pista, shqetësim pasuritë e krimit jashtë vendit e presioni ndaj drejtësisë

Më: 17 janar 2021 Në ora: 14:55
Ilustrim

Në fund të dhjetorit qeveria ka miratuar strategjinë kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda 2021-2025.

Në dokument flitet për gjendjen aktuale në vend por edhe planin e veprimit, sidomos për gjurmimin e pasurive kriminale të vendosura jashtë vendit.

Megjithëse Komisioni Evropian ka vlerësuar një lloj progresi lidhur me sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurive kriminale në strategjinë kundër krimit të miratuar nga ekzekutivi, theksohet se numri i çështjeve me dënime përfundimtare për pastrim parash mbetet i ulët.

Strategjia parashikon se një vëmendje e shtuar i duhet kushtuar identifikimit dhe konfiskimit të pasurive kriminale të vendosura jashtë vendit ose të paarritshme, zbatimit të rregullave për konfiskimin e zgjeruar dhe ngrirjen paraprake të pasurive, si dhe përdorimit sistematik të hetimeve paralele financiare për krimin e organizuar, të cilat duhet të shoqërojnë sistematikisht procedimet penale që nga fillimi.

Zbatimi i këtij objektivi strategjik do të mbështetet gjithashtu përmes përmirësimit të proceseve të identifikimit, sekuestrimit dhe konfiskimit të financave dhe aseteve të grupeve kriminale.

Kjo do të ngushtojë hapësirën e veprimit, fuqisë financiare por dhe motiveve të përfshirjes në struktura të krimit të organizuar, si dhe pamundësimin e ri-investimit të të ardhurave të përftuara nga veprimtari të paligjshme.

Lidhur me situatën aktuale në strategji evidentohet me shqetësim se “Anëtarët e strukturave të krimit të organizuar kanë shfaqur gjithashtu synimin dhe prirjen për veprime neutralizuese të punës së nëpunësve publikë, përfshirë institucionet e zbatimit të ligjit dhe organeve të drejtësisë, përmes formave të ndryshme të intimidimit dhe korrupsionit”.  

Krahas synimit kryesor të ndjekjes së parave të organizatave kriminale jashtë kufijve, pastrimit të tyre në Shqipëri, në fokus të strategjisë janë edhe trafiqet e armëve, lëndëve narkotike apo qenieve njerëzore, por edhe të veprave të artit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat