“Burgu i Zaharisë është kthyer si Auschwitz”, avokati i njohur kërkon të drejtën e klientit: Mjeku Korbi ka bërë...

Shqipëria

“Burgu i Zaharisë është kthyer si Auschwitz”, avokati i njohur kërkon të drejtën e klientit: Mjeku Korbi ka bërë...

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 14:10
Kujtim Cakrani

Avokati i njohur, Kujtim Cakrani, ishte sot i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” për të folur në lidhje me një çështje të klientit të tij, Alket Dano. Ky i fundit ndodhet në burgun e Zaharisë, pasi është i akuzuar për “Dhunë në familje”.

Edhe pse ai nuk ka probleme shëndetësore, vijon që të qëndrojë në burgun që avokati shprehet se duhet të mbyllet sa më parë. Dano akuzohet se ka dhunuar bashkëshorten e tij, e cila vuan nga epilepsia.

“Historia e Alketit nis në vitin 2017 dhe është arrestuar për “Dhunë në familje”. Familja e tij pretendon se familja e nuses e ka bërë gjithë këtë për përfitime nga pensioni dhe të ardhurat e Alketit. Prokuroria e Fierit i ka kërkuar Gjykatës që të mbyllet kjo çështje dhe kërkesa u pranua. U kërkua detyrim mjekësor. Është bërë akti dhe ai u vendos në burgun e Zaharisë”, shprehet avokati.

Sipas tij, kur kalon një periudhë 1-vjeçare, ai ka të drejtë të kërkojë që të lirohet. “Në vitin 2020, ne kemi bërë kërkesë që ai të lirohet, duke u bazuar në një akt ekspertizmi që kemi patur nga mjeku i burgut. Ai thotë se është në gjendje shumë të mirë dhe nuk ka më probleme”, shprehet Cakrani.

Ky i fundit tregon se e paraqitën këtë në gjykatë dhe e hodhën poshtë, edhe pse urdhri i mjekut nuk duhet që të kundërshtohet.

“Gjykata kërkoi që të thirren dy ekspertë të fushës së psikologjisë. Ndër ta është edhe mjeku Shkëlqim Korbi, i cili pa e takuar, pa folur, pa u konsultuar me mjekët që e kanë patur nën vëzhgim, dha mendimin e tij.

Ne kishim menduar që ë bënim kallëzim penal për Korbin, pasi kishte bërë ekspertizë ligjore të rreme. Alketi është më mirë nga të gjithë. Ne si avokatë do ti shkojmë deri në fund kësaj çështje”, tha Cakrani.

Kujtojmë se Shkëlqim Korbi, është mjeku psikiatër ligjor që u arrestua me gjyqtaren Enkelejda Hoxha për shkak të ekspertimeve ligjore të rrema.

“Nuk ka bërë akt ekspertizmi mbi një ekzaminim  të plotë. Është vetëm me dy rreshta: Duhet të vazhdojnë të qëndrojë në burgun e Zaharisë, të marrë mjekimin e nevojshëm”, tha avokati, i cili shtoi se burgu i Zaharisë është kthyer si ai i Auschwitz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat