Shqipëri: Studimi mbi kufizimin e të drejtave njerëzore gjatë pandemisë

Shqipëria

Shqipëri: Studimi mbi kufizimin e të drejtave njerëzore gjatë pandemisë

Më: 5 mars 2021 Në ora: 16:24
Elton Skendaj dhe Roland Lami

Siguria publike përballë mbrojtjes së të drejtave të njeriut në situata emergjente si pandemia janë në qendër të një studimi të dy autorëve të njohur Dr. Elton Skendaj dhe Dr. Roland Lami, që u publikua sot në një konferencë online të organizuar nga Fondacioni Westminster për Demokraci.

Hapësirat e të drejtave njerëzore sa vijnë e po ngushtohen gjatë pandemisë, duke prekur edhe disa vlera themelore të demokracisë, u tha në studimin, që vëzhgoi raportin midis masave dhe të drejtave në dy periudha të pandemisë vitin e kaluar.

“Mbrojtësit e të drejtave të njeriut kritikuan reagimet e tepruara të qeverisë mbi rregullat dhe procedurat normale demokratike, pohuan autorët, sepse qeveria shqiptare miratoi dënime jo-proporcionale me burgim dhe gjoba si forma ndëshkuese për shkeljen e rregullave të karantinës, madje për të zbatuar ndalim-qarkullimin, qeveria shqiptare mobilizoi ushtrinë dhe policinë për të patrulluar rrugët” - veçoi nga studimi dr. Skendaj.

Gjatë 3 muajve mars - qershor u frenua përhapja e COVID-19 në kurriz të efekteve ekonomike në kategori të ndryshme shoqërore dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ndërsa izolimi u shoqërua me paketa ndihme nga qeveria për kategori të ndryshme shoqërore dhe bizneset. Gjatë muajve shtator-dhjetor u kërkua vënia e detyrueshme e maskës në vende publike, ndalimi i protestave dhe protokollet e sigurisë për bizneset.

Në studim thuhet se qeveria shqiptare u kritikua për kufizimin e lirisë së medias për shkak të ligjit anti-shpifje që u miratua para pandemisë, por ky shqetësim mbeti edhe gjatë pandemisë.

“Gjatë izolimit, kryeministri Rama u përplas me mediat drejtpërdrejt dhe në rrjetet sociale. Zoti Rama u kritikua kur deklaroi në një mesazh telefonik: “Lani duart, mos lëvizni nga shtëpia për kënaqësi, hapni dritaret sa më shumë që të keni mundësi dhe mbrohuni nga media” - theksoi nga studimi dr. Lami.

Organizatat e medias kritikuan qeverinë për monopolizimin e informacionit, ndërsa kryeministri “Rama iu referua medias si “kazan” - thuhet në studim. Ai përdori metafora si “pagat e luftës”, “spitalet e luftës, “rezistenca në kohë lufte”, “lajme të rreme në kohë lufte”.

Përfaqësues të mediave kryesore, shoqërisë civile dhe akademikëve u deklaruan autorëve të studimit se në fillim të pandemisë, kishim përshtypjen se qeveria dhe institucionet qeveritare ishin të hapura për shkëmbimin e çdo informacioni në lidhje me menaxhimin e situatës emergjente. Por me kalimin e ditëve, informacioni filloi të pakësohej me përkeqësimin e situatës.

Në fillim të pandemisë, qeveria ishte më e gatshme të bashkëpunonte me median dhe të siguronte informacion, ndërsa, pasi situata u përkeqësua, kjo frymë bashkëpunimi media-qeveri filloi të zbehej, pohuan autorët.

Gjatë muajve tetor - dhjetor 2020, qeveria ishte më e hapur dhe transparente me mediat, e nga ana tjetër, mediat u treguan shumë më aktive në raportimin nga terreni.

Pjesëmarrësit e fokus-grupeve nga sektori i shëndetësisë, shoqërisë civile dhe mediave pohuan që vendimmarrja në Shqipëri dominohej nga Kryeministri. Ata vunë në dyshim pavarësinë e ekspertëve që punonin në qeveri.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk ishte funksionale dhe nuk mund të kontrollonte veprimet ekzekutive.

As parlamenti shqiptar nuk zhvilloi asnjë seancë pyetje-përgjigje për situatën e pandemisë COVID-19 gjatë periudhës mars-maj.

Parlamenti nuk krijoi ndonjë komision për të hetuar për epideminë dhe nuk ngriti asnjë strukturë monitorimi për masat e marra nga ekzekutivi.

Gjatë periudhave shtator-tetor dhe nëntor-dhjetor u përsërit e njëjta situatë, pavarësisht se jeta parlamentare zhvillohej normalisht.

Në studim theksohet se të drejtat kryesore që u rrezikuan gjatë pandemisë COVID-19 ishin të drejtat për lirinë e lëvizjes dhe organizimit të tubimeve.

Demokracitë hibride me institucione të dobëta dhe besueshmëri të ulët të publikut ndaj qeverisë demonstruan kërcënime të caktuara për demokracinë dhe të drejtat e njeriut gjatë zbatimit të masave emergjente.

Ndërsa ekzekutivi zgjeroi pushtetin e tij, kapacitetet e legjislativit dhe gjyqësorit për të mbikëqyrur hartimin dhe zbatimin e këtyre masave u tkurrën.

Ekziston shqetësimi i ligjshëm, pohuan autorët se shpejtësia me të cilën qeveritë në Shqipëri dhe gjetkë në rajon zgjeruan pushtetin e tyre gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, mund të tregojë se legjislativi dhe gjyqësori mund të mos jenë në gjendje të garantojnë kontrolle dhe ekuilibra të mjaftueshëm për të frenuar tejkalimin e kompetencave të ekzekutivit.

“Sulmet ndaj mediave nga zyrtarë të qeverisë rrezikojnë lirinë e shtypit, ndaj theksohet nevoja për mbrojtje më të madhe të integritetit të medias, në mënyrë që të rritet transparenca në vendimmarrjen e qeverisë dhe të kufizohet përhapja e dezinformimit të publikut” - thuhet në studim.

Ata rekomanduan për Shqipërinë që gjatë periudhave të zgjatura të emergjencave publike qeveria duhet të shmangë përdorimin e ushtrisë për të zbatuar masa kufizuese, ndërsa të drejtat e njeriut, si liria e lëvizjes dhe e drejta për informim, duhet të mbrohen në masën e mundshme brenda kuadrit të sigurisë publike.

“Për të mbrojtur institucionet dhe proceset jetësore demokratike në kohë krizash, zgjedhjet duhet të mbahen me siguri, rregullsi dhe integritet. Për të siguruar një proces të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, partitë e opozitës duhet të marrin garanci për zhvillimin e fushatës elektorale në një fushë me rregulla të barabarta loje me partitë në pushtet” - thuhet në studimin e publikuar sot nga dy autorët e mbështetur prej Fondacionit Westminster për Demokracinë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat