‘Gara’ mes burrave dhe grave në Shqipëri, kush paguhet më shumë dhe kush ka pozita më të mira

Shqipëria

‘Gara’ mes burrave dhe grave në Shqipëri, kush paguhet më shumë dhe kush ka pozita më të mira

Më: 9 mars 2021 Në ora: 06:30
Ilustrim

Sot është 8 Marsi, që njihet ndërkombëtarisht si Dita e Gruas. Në Shqipëri, ndonëse janë bërë përparime në barazinë gjinore, sërish ka diferenca të mëdha, teksa burrat paguhen më shumë sesa gratë dhe dominojnë në pozicionet drejtuese, si në biznes, ashtu dhe në politikë.

Gratë ua kalojnë burrave vetëm për pagat në pozicione drejtuese

Mesatarisht gratë paguhen 10% më pak sesa burrat, sipas INSTAT, diferencë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej rreth 15%, sipas Eurostat.

Paga mesatare e femrave në vend ishte 49.4 mijë në fund të vitit 2019, përkundrejt rreth 55 mijë lekë/muaj të meshkujve. Nga 36 grup profesione që raporton INSTAT, vetëm në 4 prej tyre gratë paguhen më shumë, ose njëlloj në raport me burrat (Drejtues administrativë dhe komercialë; Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë; Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes; Punëtorë të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit).

Diferenca më e madhe në paga është për profesionin e “Specialistë të shkencave të fizikës, matematikës dhe inxhinierisë”, ku gratë paguhen rreth 33% më pak.

Por, gratë duket se janë drejtuese më të mira sesa burrat. Në profesionin e “Drejtues administrativë dhe komercialë”, ato paguhen gati 19% më shumë sesa burrat. Ky është dhe profesioni, ku gratë paguhen më shumë, mesatarisht me 170 mijë lekë në muaj, duke shënuar dhe rekordin si për grupprofesionet, ashtu dhe për gjinitë (për meshkujt paga është rreth 150 mijë lekë në muaj).

Më pak gra administratore dhe pronare

Gratë në pozicione drejtuese në biznes, apo që zotërojnë një sipërmarrje vijojnë të mbeten të ulëta. Pesha e grave pronare / administratore u ul në 25.4% në 2019-ën krahasuar me 25.7% në vitin 2018, sipas INSTAT. Përqindja e grave pronare/administratore është më e lartë në ndërmarrjet e vogla (1-4 e të punësuarve) me 25.8% gra, një përqindje më e vogël krahasuar me 2018-ën. Në kategoritë e tjera (5-9 punonjës, 10-49 dhe mbi 50 të punësuar) përqindja e grave pronare/administratore është rritur, krahasuar me vitin e kaluar.

Numri i grave pronare ose administratore të bizneseve në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve është rritur me 1.0 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018. Numri i bizneseve me gra pronare ose administratore është më i madh në sektorin e shërbimeve sesa në sektorin e prodhimit, 33.3% dhe 11.9% përkatësisht.

Në vitin 2019, shpërndarja e ndërmarrjeve aktive sipas rajoneve tregon se ndërmarrjet me gra pronare ose menaxhere janë përqendruar kryesisht në rajonin e Tiranës (32.4%). Tirana ndiqet nga Lezha (28.9%). Pesha e ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë në të gjitha rajonet është më e lartë në sektorin e shërbimeve sesa në sektorin e prodhimit, me ofruesit e shërbimeve të përqendruar në Tiranë (35.2%), ndërsa prodhuesit në Elbasan (15.9%).

Burrat dominojnë në depozita dhe kredi

Depozitat familjare mbahen kryesisht në emër të burrave. Sipas INSTAT, në vitin 2019, kishte gati 2 milionë llogari depozituese në sektorin familjar, që zotëroheshin nga burrat ose 34% më shumë sesa gratë.

Edhe për kreditë, meshkujt dominojnë, teksa kishin 211 llogari huamarrëse në sektorin familjar, ose rreth 30% më shumë sesa femrat. Në krahasim me vitin 2016, llogaritë huamarrëse të marra nga gratë pothuajse janë përgjysmuar.

Tendencë në rënie kanë shënuar dhe llogaritë depozituese, që janë tkurrur me 23% për të njëjtën periudhë.

Në të kundërt, llogaritë depozituese te burrat kanë mbetur pothuajse të pandryshuara, ndërsa ato të kredisë janë rritur me rreth 7.2% për periudhën 2016-2019.

Dominanca më e lartë e grave në Parlament, në vitet …1975-1990

Ndonëse pjesëmarrja e grave në Kuvend është rritur vitet e fundit, a e dini se në periudhën e socializimit, ato kanë qenë më të angazhuara? Sipas të dhënave të INSTAT, që e raporton treguesin e pjesëmarrjes në Parlament sipas gjinisë, që nga viti 1920, pesha më e lartë e tyre raportohet në 1974, me 33.2% të totalit.

Gratë filluan të përfaqësohen në Kuvend për herë të parë në vitin 1945 dhe deri në 1990-n përbënin gati një të tretën e tij. Në fillim të viteve 1990, pesha e tyre ra dukshëm, në 6-7%, ndërsa më pas filloi të rritej gradualisht, duke e kaluar 20%.

Në legjislaturën e vitit 2017, u arrit niveli më i lartë që pas viteve ’90, me gati 30%, por sërish më i ulët se në epokën socialiste.

Në Evropë, sipas Eurostat, peshën më të lartë te grave në Parlament e ka Suedia, me afêr 50%, e ndjekur nga Finlanda me 46%, Belgjika me 43%, ndërsa më të ulëtën, Hungaria dhe Malta me nga 13% secila.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat