Vasili: Rama shantazhon shqiptarët me vaksinën Covid-19, pas 25 prillit shqiptarët do kenë përballë njerëz të përgjegjshëm

Shqipëria

Vasili: Rama shantazhon shqiptarët me vaksinën Covid-19, pas 25 prillit shqiptarët do kenë përballë njerëz të përgjegjshëm

Më: 31 mars 2021 Në ora: 15:14
Petrit Vasili

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili në një deklaratë për mediat u shpreh se kryeministri Rama shantazhon shqiptarët me vaksinën e pandemisë së Covid 19.

“Jo më larg nga dje, përfundimisht Edi Rama vetë çorri maskën e tij lidhur me vaksinimin me pandeminë dhe gjithçka tjetër.  Ai i provoi të gjithë shqiptarëve që shëndeti i njerëzve nuk vlen asgjë për të, vaksinimi nuk vlen asgjë për të, gjithçka e ka dhe e shikon vetëm në funksion të këmbëve të thyera të karriges së tij të qelbur,” tha  Vasili.

“As mos tju shkojë mendja që vaksinat do vazhdojnë të vijnë kështu siç po vijnë, mos ju shkojë mendja nuk ka për të ndodhur. Sigurisht unë po e them se çfarë do të ndodhte: ndërkohë që ne kemi ambicien që sezoni i ardhshëm turistik ta lehtësojmë dhe ta bëjmë shumë më të lehtë se ai i shkuari, ta lehtësojmë ekonominë duke vaksinuar tani. Mendoni se kjo gjë vazhdon pavarësisht se kush qeveris?” kështu është shprehur Rama ditën e djeshme.

Vasili thotë se shqiptarët e kanë përballuar të vetëm pandeminë, pasi nga xhepat e tyre kanë dalë 140 milionë euro dhe nuk u është rimbursuar asnjë lekë.

“Kryeministri i la vetëm shqiptarët mijëra prej tyre për të përballur pandeminë e ku të gjithë kanë hyrë në borxhe pafund e nga xhepat e shqiptarëve kanë dalë 140 milion euro nuk u ka rimbursuar asnjë lek atyre dhe mijëra e mijëra familje kanë tentuar me dëshpërim të përballojnë shpenzimet,” tha Vasili.

Gjatë deklaratës së tij, Vasili tha se numri i vdekjeve të deklaruara nuk është i saktë.

“Ky individ mbi të cilin rëndojnë 9 mijë vdekje të fshehura ,të padeklaruara e që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejt me Covidin, guxon e flet e shantazhon shqiptarët. Po i njëjti individ i cili gënjen dhe sot e kësaj ditë, duke ulur testimet që të duket sikur ulen numrat për të vazhduar të gënjejë shqiptarët, ndërkohë që qindra të tjerë në mënyrë të përditshme sëmuren e nxjerrin miliona lekë të tjera nga xhepi,” tha ai.

Vasili shprehet se pas 25 prilli shqiptarët do të kenë përpara njerëz të përgjegjshëm të cilët nuk do të luajnë me shëndetin e tyre.

“Çfarë do të ndodhte në një qeveri tjetër dhe çfarë do të ndodhë pas 25 prillit? Është shumë e qartë. Do të jenë përpara shqiptarëve njerëz të përgjegjshëm, të cilët nuk  e përdorin kurrë shëndetin e shqiptarëve për interesat e karriges së qelbur, siç bën Edi Rama. Do të jenë një grup profesionistësh të vërtetë, që e kanë provuar edhe në të shkuarën veten e tyre, që dinë ta drejtojnë më së miri pandeminë, të kursejnë mijëra jetë njerëzish, të kursejnë mijëra infektime të tjera dhe jo si ky batakçiu që çdo gjë e ka të lidhur me karrigen e vet.”

Në 25 prill fundi do të jetë i pashmangshëm për ata që përdorin shëndetin e shqiptarëve, sipas Vasilit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat