Balla nga Belshi: Elbasani do t’i japë Partisë Socialiste 9 mandate, për të vazhduar transformimin e qytetit

Shqipëria

Balla nga Belshi: Elbasani do t’i japë Partisë Socialiste 9 mandate, për të vazhduar transformimin e qytetit

Më: 12 prill 2021 Në ora: 16:28
Taulant Balla

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Elbasanin, Taulant Balla deklaroi nga Belshi se në 25 prill, qarku i Elbasanit do t’i japë Partisë Socialiste 9 mandate.

Balla ironizoi listën e kandidatëve të Partisë Demokratike, duke thënë se Belshi nuk i meriton ata persona. “Në 25 prill ne e dimë që qarku ynë i Elbasanit do t’i japë PS-së plot 9 mandate për të çuar përpara transformimin e Belshit. Unë e di që populli i Belshit ndihet i fyer nga lista e PD-së. Çfarë mund të presë populli i Belshit nga Dash Sula? Atij i është thënë ik nga Peqini e hajde në Belsh. Si mund ta votojë Belshi një huligan stadiumesh? Si mund të rikthehemi ne tek ata që teksa vije në Belsh, nuk shihje dot liqenin sepse gjithë kryesia e PD kishte ndërtuar lokalet mbi liqen”, tha Balla.

Sipas tij, Belshi ka hyrë në procesin e transformimit dhe zhvillimi i qytetit nuk do të ndalet. “Unë gjithmonë kam thënë që ky është vetëm fillimi i një procesi të rëndësishëm transformimi. Belshi është shndërruar në një prej destinacioneve më të rëndësishme agro-turistike në Shqipëri. Ne duhet të vazhdojmë të rrisim kapacitetet tona akomoduese. Jemi ende larg asaj që synojmë për Belshin. Falë mbështetjes së qeverisë ne tashmë kemi iniciuar një projekt në Marinzë, ku për herë të parë është vetë qeveria, Fondi Shqiptar i Zhvillimit që po krijon një model të agro-turizmit. Falë bashkëpunimit me bashkinë e Belshit ne do të kemi një prej modeleve më të bukura, i cili duhet të jetë një referencë edhe për sipërmarrjet private”.

Balla shton se Belshi ka nevojë për një mandat të tretë, nën qeverisjen e Edi Ramës. “Ky model duhet të vazhdojë kudo. Ne kemi filluar vetëm pjesën e parë të këtij procesi të transformimit dhe ajo që na duhet është se më shumë se kudo tjetër nevoja e mandatit të tretë të Edi Ramës dhe PS-së është këtu në Belsh. Ne kemi në rrugën tonë të njëjtët kundërshtarë që Shqipëria ka pasur në këto 30 vite. Ilir Meta dhe Sali Berisha janë bërë bashkë për të rimarrë peng Shqipërinë dhe në këtë betejë ata kanë përballë Edi Ramën. Çdo shqiptar duhet të kuptojë që është e papranueshme  që ndryshimi në Shqipëri të ketë emrin e  Sali Berishës dhe Ilir Metës, apo të ketë ende nga ata që besojnë se votën e tyre mund tja japin fallxhores”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat