Vetëvarja për videon në Tik-Tok, në bankën e Nasirit një tufë me lule të bardha, mësuesja: Nxënës shumë i mirë

Shqipëria

Vetëvarja për videon në Tik-Tok, në bankën e Nasirit një tufë me lule të bardha, mësuesja: Nxënës shumë i mirë

Më: 7 maj 2021 Në ora: 11:28
Në bankën e Nasirit një tufë me lule të bardha

Në bankën e parafundit ku ulej Nasiri, nxënësi 10 vjeç i klasës së katërt në shkollën e mesme të bashkuar "At Gjon Karma" në Gurin e Zi, i cili dyshohet se humbi jetën ndërsa po realizonte një video të cilën donte ta hidhte në Tik-Tok, sot ishte vendosur një tufë me lule të bardha, si kujtim nga shokët dhe shoqet e klasës.

Mësuesja e tij e tronditur e kujton si nxënës të shkathët, të dashur dhe të respektuar.

"Është shumë e vështirë të flas për këtë ngjarje kaq të rëndë që i ka ndodhur një nxënësi të shkollës tonë. Nasiri ka qenë nxënës i imi prej klasës së parë. Ishte shumë tronditëse atë natë kur morëm lajmin. Nasiri mund ta përshkruar si një nxënës shumë të mirë me arritje të mira, tipare të një lideri, fëmijë shumë i shkathët, gëzonte respektin e nxënësve dhe mësuesve.

Sjellja e Nasirit ka qenë shumë e mirë. Nuk ka shfaqur probleme asnjëherë. Sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale në të gjitha orët edukative theksojmë anët negative që ka përdorimi i rrjeteve sociale dhe celularit. Nxënësit i përdorin por i këshilloj gjithmnonë që të jenë edhe në kujdesin e prindërve dhe të mos hapin faqe që nuk janë të përshtatshme për ta. Kam komunikuar me familjarët, pak a shumë kanë idenë se po bënte video por nuk janë shumë të qartë.Kontrolli i prindit nuk duhet të mungojë asnjë moment".

Punonjësja sociale, Rovena Zenelaj, thotë se pandemia ka rritur së tepërmi përdorimin e internetit dhe rrjeteve sociale nga nxënësit, ndaj ajo ka një apel për prindërit që të kenë kujdes të shtuar dhe të monitorojnë fëmijët e tyre.

"Ngjarja është shumë e rëndë që ka prekur mësuesit dhe nxënësit e shkollës dhe mbarë komunitetin. Nxënësi nuk ka shfaqur asnjëherë shenjë depresiviteti apo depresioni por ka rënë pre e rrjeteve sociale.

Duhet të rrisim kujdesin ndaj qasjes në internet të fëmijëve, përdorimit të telefonave, tabletave apo kompjuterave. Të bëjmë kujdes dyfish ndaj përdorimit të rrjeteve sociale në mënyrë që të shmangim akte të tilla po të ngjashme si këto. Në shkollë është i ndaluar përdorimi i telefonit por në shtëpi ka një përdorim të gjerë edhe për shka të pandemisë".

10-vjeçari dyshohet se po e realizonte videon kur ishte i vetëm në shtëpi, por diçka ka shkuar keq duke përfunduar në tragjedi.

Prindërit gjetën fëmijën kur u kthyen në shtëpi pas disa orësh. Ata u munduan të japin ndihmën e parë por pa rezultat. 

Policia zyrtarisht nuk ka konfirmuar se vetëvarja ndodhi për shkak të rrjeteve sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat