Shqiptarët kërkojnë azil në Itali, muaji mars shënon rritje me 34% të numrit të personave që duan të largohen nga vendi

Shqipëria

Shqiptarët kërkojnë azil në Itali, muaji mars shënon rritje me 34% të numrit të personave që duan të largohen nga vendi

Më: 8 maj 2021 Në ora: 10:43
Ilustrim

Muaji mars 2021 ka shënuar një rritje me 34% të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Itali, ndërsa ka një reduktim të numrit të azilkërkuesve të pashoqëruar minorenë, dhe pse vajzat minorene shqiptare janë ndër më të shumtat në numër pas tyre të ardhura nga Bregu i Fildishtë.

Autoritetet italiane të Ministrisë së Brendshme kanë publikuar raportet e fundit statistikore me të dhënat e numrit të azilkërkuesve që kanë kërkuar mbrojtje nga autoritetet italiane e të emigrantëve minorenë të pashoqëruar.

Azilkërkues njihen të gjitha ata persona të cilët largohen nga vendi i tyre për motive politike, fetare e persekutimi, e kërkojnë strehim në një vend tjetër.

E drejta e azilit është përcaktuar në nenin 10 të Kushtetutës italiane ku thuhet se ; "I huaji të cilit i është ndaluar ushtrimi i lirive demokratike në vendin e tij në bazë të Kushtetutës Italiane ka të drejtë të kërkoj mbrojtje në Republikën italiane e sipas kushteve të përcaktuara me ligj".

Raporti i Ministrisë së Brendshme Italiane informon se gjatë muajit mars 2021, janë 63 shqiptarë të cilët kanë kërkuar mbrojtje nga shteti italian.

Numri i tyre është rritur me 34% duke e krahasuar me të dhënat e muajit shkurt 2021, gjatë të cilit ishin 44 shqiptarë të cilët kërkuan të drejtë azili në Itali.

Numri i azilkërkuesve shqiptarëve renditet pranë atyre të ardhur nga Nigeria të cilët janë më të shumtit, e ndjekur më pas nga azilkërkuesit nga Pakistani, Bangaldeshi, Tunisia, Mali, Marok, Bregu i Fildishtë etj.

Gjithsej në Itali gjatë muajit mars 2021 janë 3574 azilkërkuesë nga kombësi të ndryshme që kanë kërkuar strehim në Itali me një rritje rreth 16% më shumë në krahasim me muajin shkurt.

Raporti i autoriteteve italiane zbardh dhe një tjetër të dhënë të rëndësishme e cila është dhe një nga plagët më dhimbshme e preokupuese të emigracionit shqiptar drejt Italisë e që është emigrimi i emigrantëve minorenë të pashoqëruar.

Në këtë dokument evidentohet se gjatë muajit mars 2021 ka përgjithësisht një rritje me 709% të numri të minorenëve emigrantë të shoqëruar e një reduktim me -28%  të numrit të minorenëve të pashoqëruar në Itali.

Duke analizuar të dhënat e Ministrisë italiane të Çështjeve Sociale, numri i minorenëve shqiptarë të pashoqëruar në Itali është aktualisht 799 e ka një ulje të dukshme me një vit më parë.

Në dhjetor të vitit 2020 numri i tyre ishte 1029 e baras me 17.6% të numrit të përgjithshëm të minorenëve të pashoqëruar në Itali (6077).

Ndërsa aktualisht numri i azilkërkuesve minorenë shqiptarë është baras me 12.1% të numrit të përgjithshëm të kombësive të ndryshme (6612).

Një reduktim ka pësuar dhe numri i minorenëve të pashoqëruar kosovarë që deri në mars të 2021 ishin 179, ndërsa në dhjetor të 2020 rezultojnë të regjistruar 190.

Vetëm gjatë një muaji, nga data 1 mars deri më 31 mars 2021, janë 5 minorenë të pashoqëruar shqiptarë që kanë kërkuar strehim në Itali e 41 minorenë kosovarë.

Në ndarje gjinore, minorenët e pashoqëruar femra janë gjithsej 239, e vajzat shqiptare kanë numrin më të lartë pas atyre të ardhura nga Bregu i Fildishtë e që janë 56.

Deri më 31 mars 2021 në qendrat për strehimin e minorenëve të pashoqëruar rezultojnë të regjistruar 36  vajza shqiptare me moshë nën 18 vjeç duke lënë pas ato nga Nigeria, Guinea, Somalia etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat