“E kanë droguar e kërcënuar me pistoletë, vajza tentoi të varë veten”, xhaxhai i së miturës që u përdhunua në Mirditë: Ja çfarë kërkojmë

Shqipëria

“E kanë droguar e kërcënuar me pistoletë, vajza tentoi të varë veten”, xhaxhai i së miturës që u përdhunua në Mirditë: Ja çfarë kërkojmë

Më: 22 maj 2021 Në ora: 14:01
5 personat dhe xhaxhai i vajzës së përdhunuar

Xhaxhai i vajzës së përdhunuar tregon se 15-vjeçarja është droguar e kërcënuar nga 5 personat që abuzuan me të, ndërsa kërkon largimin nga fshati të familjeve të këtyre personave.

Ndue Ndoj, shprehet se kjo ngjarje i ka pikëlluar shumë. Ai tregon se vajzën e kanë kërcënuar me armë dhe më pas kanë abuzuar seksualisht me të. Fillimisht njëri prej autorëve dhe më pas ai ka thirrur edhe 4 personat e tjerë.

Xhaxhai i të miturës shprehet se ajo ka qenë në gjendje shumë të rënduar dhe ka tentuar të vrasë veten, por tani ndodhet më mirë nën kujdesin e psikologëve në Tiranë. Në lidhje me abuzimin seksual ka reaguar edhe delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Me një postim në “Facebook”, BE i bën thirrje institucioneve për mbrojtjen e vajzave në Shqipëri’.

“Delegacioni i BE-së dënon me forcë rastet e fundit të abuzimit seksual të vajzave në Shqipëri. Nuk ka asnjë justifikim për përdhunimin ose ndonjë formë të abuzimit seksual. JO do të thotë JO. Mbroni vajzat në Shqipëri! Drejtësia, policia, shërbimet sociale dhe të gjitha institucionet duhet të veprojnë kundër kësaj dhune të tmerrshme. Përdhunimi është një krim dhe indiferenca vret”, shkruhet në postim.

Mund të na tregoni si ka ndodhur ngjarja?

Kjo çështje ka nisur që me datë 7 mars. Vajza është nxënëse në shkollën e fshatit Tarazh dhe njëri nga përdhunuesit ka arritur ta nxjerrë nga shkolla. E ka marrë me makinë dhe është larguar me të në një fshat tjetër dhe e ka përdhunuar.

Po 4 personat e tjerë si kanë arritur të kishin kontakt me vajzën?

Personi që e ka përdhunuar fillimisht, të cilit nuk dua t’ia përmend as emrin, i ka bërë video dhe ua ka shpërndarë dhe 4 kushërinjve të tij. Ata e kanë shantazhuar me videon se do ia publikonin dhe më pas edhe e kanë droguar e madje edhe i kanë vënë pistoletën në kokë, duke e detyruar që të kryente marrëdhënie seksuale me ta. Ajo në momentin që është përdhunuar nuk ka pasur asnjë ndjenjë njerëzore.

A keni pasur kontakte me familjaret e 5 personave që kanë kryer këtë krim?

Kanë kërkuar që të na takojnë, por ne nuk kemi pranuar. I kemi banesat shumë afër dhe përmes kryeplakut u kemi kërkuar që të largohen nga fshati. Kjo që ka ndodhur na ka pikëlluar dhe na ka brengosur. Na ka marruar.

Si është gjendja e vajzës?

Vajza ka qenë në gjendje shumë të rënduar psikologjike dhe madje ka tentuar të varë veten. Menjëherë pas ngjarjes, e kanë marrë dhe dërguar në Tiranë dhe tani është nën kujdesin e psikologëve. Kemi kontaktuar me të dhe tani është shumë më mirë. Shpresojmë ta kalojë këtë traumë të madhe dhe t’i rikthehet normalitetit, sepse ajo është e mitur dhe kjo çfarë i ka ndodhur është një traumë e madhe për të.

Çfarë kërkoni?

Çështjen ia kemi lënë në dorë drejtësisë dhe pasi të mbarojë punë drejtësia, kemi zakonet tona. Gjithashtu, kërkoj që familjes së vajzës t’i jepet e drejta të përfitojë azil dhe të largohet nga Shqipëria, sepse ajo çfarë u ka ndodhur është shumë e rëndë.

DOM GJERGJ META: ZGJOHEMI VETËM KUR NDODHIN

Pjesë e protestës ishte dhe ipeshkvi i Rrëshenit Gjergj Meta, i cili kërkoi më tepër vëmendje për parandalimin e ngjarjeve të tilla.

“Ne jemi këtu për t’i dhënë zë kësaj proteste, ndaj dhe i jemi bashkuar kësaj nisme me gjithë zemër. Shpresojmë që të jetë një mesazh sensibilizues dhe dalja jonë këtu do të hapë perspektivën që do thotë të krijojmë një edukim që raste të tilla të mos përsëriten më. Fatkeqësisht do thosha se shpesh herë zgjohemi vetëm kur ndodhin gjërat, por duhet bërë një punë e përditshme që të kenë respekt për njëritjetrin, që do të thotë të respektosh trupin e tjetrit, vullnetin dhe lirinë e tjetrit e sidomos kur tjetri është i dobët, si në rastin e personave të mitur”, tha Gjergj Meta.

Ti nuk je vetëm”, protesta në Rrëshen

Përdhunimi i të miturës 15-vjeçare në Mirditës ka ngritur në protestë aktivistë të shoqërisë civile, qytetarë e familjarë të vajzës. Me pankarta në duar dhe me thirrjet “Ti nuk je vetëm!”, apo “Përdhunimi është krim”, protestuesit marshuan në rrugët e qytetit të Rrëshenit, në shenjë revolte ndaj kësaj ngjarjeje të rëndë, por dhe rasteve të tjera të përdhunimit.

Qytetarë e aktivistë e konsiderojnë një krim mjaft të rëndë përdhunimin e 15-vjeçares, duke akuzuar institucionet shtetërore për mungesë vëmendjeje për mbrojtjen e grave dhe vajzave.

“Kjo që ka ndodhur në Mirditë, me përdhunimin e vajzës 15-vjeçare, është një krim mjaft i rëndë. Kjo ngjarje na ka bërë të kemi frikë të dalim në rrugë të madhe se s’ke besim. Unë mendoj se shteti është shumë inekzistent ndaj dhe ndodhin gjëra të tilla. Ata 5 personat që kanë bërë atë veprim duan lidhur e djegur me benzinë në mes të qytetit, që t’i shohë i gjithë populli shqiptar”, thotë një qytetare e Rrëshenit.

Ndërsa një aktiviste e shoqërisë civile kërkon më tepër vëmendje për mbrojtjen e grave dhe vajzave.

“Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë dhe na ka shokuar të gjithëve. Ne jemi këtu për t’u solidarizuar me viktimat e dhunës seksuale, për t’u treguar që nuk janë vetëm. Ne kërkojmë që shteti të ketë më shumë vëmendje për mbrojtjen e grave dhe vajzave me qëllim që t’i parandalojmë ngjarje të tilla, të cilët janë kthyer në një fenomen mjaft shqetësues në vendin tonë. Është shumë e rëndësishme që ne të mos e normalizojmë dhunën, por ne duhet që mos t’i lejojmë të tilla raste të kalojnë në heshtje. Janë raste shumë alarmante dhe ne jemi shumë të shqetësuara nga kjo dhunë, qoftë seksuale, psikologjike dhe ekonomike”, shprehet Deni Sanxhaku, aktiviste e shoqërisë civile.

Protesta në Rrëshen zgjati rreth 2 orë dhe u monitorua nga Policia, ndërsa fatmirësisht nuk u regjistruan incidente. E mitura nga Tarazhi i Mirditës u përdhunua në mënyrë të përsëritur nga Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe 17-vjeçari me inicialet A.Gj.

Ndaj 5 personave, Gjykata e Lezhës vendosi dy ditë më parë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat