Prokurori Ervin Karanxha në Vetting/ Ja vendimet problematike që ka dhënë

Shqipëria

Prokurori Ervin Karanxha në Vetting/ Ja vendimet problematike që ka dhënë

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 19:36
Vettingu

Organet e Vettingut kanë thirrur në seancën e parë prokurorin e Tiranës, Ervin Karanxha. Emri i tij, është përmendur në disa vendime që cenojnë rëndë besimin e publikut te drejtësia.

Besimi i publikut është një nga kriteret, për të cilat Vettingu ka nxjerrë nga drejtësia jo pak gjyqtarë e prokurorë. Rivlerësimi i pasurive dhe aftësive dhe figurës së Karanxhës do të kryhet nga Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko, të njëjtat që ngelën në Vetting për shkaqe të zhgënjimit të publikut, një prokuror që rezultoi se kishte luajtur lojëra bixhozi ose një tjetër që kishte zvarritur gjykimet.

Po ku e humbi publiku besimin te prokurori Karanxha?

Po ju kujtojmë vetëm disa raste të vendimeve problematike. Prokurori Ervin Karanxha hetoi padinë e drejtorisë së burgjeve ndaj një personi që po fuste pije alkoolike në burg, në mënyrë që Shullazi dhe shokët e tij të festonin Vitin e Ri me verë, xhin, uiski dhe vodka në qeli.

Prokurori vendosi të pushojë çështjen, duke argumentuar se alkooli nuk është i dëmshëm për shëndetin dhe se me rastin e ndërrimit të viteve, edhe Shullazi kishte të drejtë të festonte, sepse kështu kishte ndodhur edhe në kohën e komunizmit. Ky hetim i Karanxhës zgjati vetëm 16 ditë dhe u pushua si shumë të tjera, qe ky prokuror i ka mbyllur, duke shënuar një rast të paprecedentë dhe një përplasje me burgjet, të cilat e referuan dhe kërkuan hetim për policinë.

Në një tjetër dosje, Karanxha mbyll sytë para provave dhe te ILDKPI, që gjeti probleme me pasurinë e deklaruar nga një punonjës i ministrisë së Jashtme. Por, rasti tjetër, i bërë gjerësisht mediatik është dosja e njohur si lobimi rus.

Karanxha dhe kolegu i tij në hetim, mbyllën dosjen për paratë e lobimit rus edhe pse FBI në hetimin e saj gjeti fakte dhe kishte edhe një të penduar. Por, për prokurorin Karanxha ky ishte argument për të mbyllur hetimin në Shqipëri sepse mund të dëmtohej hetimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë vendim problematik, që u cilësua si skandal dhe vendim për t’i shërbyer politikës, Karanxha u shkarkua nga detyra si shef sektori, ndërsa më pas një nga kolegët e tij u shkarkuan edhe nga Vettingu.

Këto janë vetëm disa nga vendimet kontroverse të prokurorit Ervin Karanxha, i cili para Vettingut do dalë me një CV aspak të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat