VOA: Tiranë, diplomatët perëndimorë nxitin qeverinë të shtojë luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore

Shqipëria

VOA: Tiranë, diplomatët perëndimorë nxitin qeverinë të shtojë luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 13:47
Konferenca e organizuar nga OSBE mbi bashkimin e përpjekjeve kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, nxiti sot qeverinë e Shqipërisë të shtojë përpjekjet e saj për të dërguar në burg trafikantët e qenieve njerëzore dhe për t’u kujdesur që viktimat e tyre të riintegrohen në shoqëri.

Ambasadorja Kim i bëri këto komente sot në një konferencë të organizuar nga OSBE mbi bashkimin e përpjekjeve kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Ajo tha se Shqipëria me gjithë faktorët e saj, qeveria, shoqëria civile, mediat dhe të tjerët duhet t’u bashkohen me përpjekjen botërore për t’i dhënë fund trafikimit të qenieve njerëzore.

“Me shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare që drejtojnë tre prej strehëzave të Shqipërisë për viktimat e trafikimit, ministria e brendshme dhe institucionet e drejtësisë mund të ringjallin përpjekjet për të identifikuar më shumë viktima, për të ndjekur penalisht dhe dënuar trafikantët dhe për të përgatitur të trafikuarit, që të rihyjnë në shoqëri” - tha ambasadorja Kim.

Reforma në drejtësi siguroi, sipas saj, institucionet dhe profesionistët që do të dërgojnë trafikantët pas hekurave si dhe për t’u kujdesur për viktimat.

Ambasadorja Kim theksoi se për Presidentin amerikan Biden dhe Sekretarin Blinken, korrupsioni, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe krime të tjera destabilizuese përbëjnë kërcënime për sigurinë kombëtare të SHBA

“Urdhëri Ekzekutiv i Presidentit Biden lidhur me Ballkanin Perëndimor e ngre mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe luftën kundër trafikimit njerëzor, në një përparësi kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Ne synojmë t’u kërkojmë llogari atyre që janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë në abuzime serioze me të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor” - tha zonja Kim.

Trafikantët, tha ajo, përfaqësojnë “një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, ndaj ata do të ndalohen të hyjnë në SHBA.

“Nëse keni një vizë amerikane apo një peticion për një vizë emigrimi, nuk do t’iu hyjnë më në punë, sepse nëse trafikoni qenie njerëzore, qeveria e SHBA mund të ndërmarrë veprime kundër pronës suaj, nëse kalon përmes ose ka një lidhje me Shtetet e Bashkuara” - tha ambasadorja Kim.

Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, ishte Kryetare e Zyrës së OSBE-së në vitin 2020, sapo fitoi një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB për vitin 2022-2023 dhe është në prag të hapjes formale të negociatave për anëtarësimin në BE.

Në një Raport të vitit 2020 nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin theksohet se “gjatë 15 viteve të fundit, numri i viktimave të diktuara është rritur”.

Shumica dërrmuese e rasteve thjesht kalojnë pa u vënë re dhe pjesa më e madhe e viktimave janë gra dhe fëmijë, thuhet në raport.

Trafikimi vazhdoi pas Protokollit të Palermos të vitit 2000 për Parandalimin, Frenimin dhe Ndëshkimin e Trafikimit të personave, 25 milion persona në të gjithë botën janë viktima të punës së detyruar dhe shfrytëzimit seksual.

Vëzhguesit pohuan se trafikimi i qenieve njerëzore ushqehet nga pabarazia shoqërore dhe ekonomike, nga varfëria, papunësia, dhuna dhe konflikti, ndaj bashkëpunimi kundër këtyre dukurive vlerësohet si mjet kryesor në përmirësimin e gjendjes./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat