PD citon raportin e Asamblesë për parregullsi në zgjedhje: Presione ndaj votuesve dhe përdorim i administratës

Shqipëria

PD citon raportin e Asamblesë për parregullsi në zgjedhje: Presione ndaj votuesve dhe përdorim i administratës

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 12:00
Selia e PD

Partia Demokratike reagoi në lidhje me raportin e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës që ka evidentuar elementët e masakrës elektorale të 25 Prillit.

Sipas partisë më të madhe të opozitës, në raportin e vëzhgimit të Asamblesë  Parlamentare konfirmohet se zyrtarët publikë abuzuan pushtetin e funksioneve publike, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike për të votuar për partinë në pushtet.

Në raport evidentohet se delegacioni është informuar nga qytetarë të ndryshëm, përfshirë edhe partitë politike, në veçanti për blerjen e votave, presionet mbi votuesit, veçanërisht mbi nëpunësit civilë dhe keqpërdorimin e burimeve të administratës.

Delegacioni i Asamblesë i dënon fuqimisht këto praktika dhe i bën thirrje autoriteteve në Shqipëri që të rrisin besimin e zgjedhësve në proceset zgjedhore.

PD citon më tej raportin ku thuhet se gjatë fushatës elektorale media publikoi databazën me të dhënat personale e cila përdorej nga PS për të ushtruar presion.

Në lidhje me këtë rast, Asambleja ka theksuar se “rrjedhja e të dhënave sensitive personale, përfshirë preferencat politike të qytetarëve, janë shqetësim serioz dhe i bëjnë votuesit vulnerable”.

Sipas tij misioni vëzhgoi momente presioni mbi votuesit. Një person u pa teksa tërhiqte një tjetër drejt Qendrës së Votimit, pasi votuesi kaloi procedurën e verifikimit ai u mor me një anë dhe u instruktua si të votonte.

Në të njëjtin rajon u dëshmua një rast i shpërndarjes së parave pranë qendrave të votimit. Një tjetër ekip i Asamblesë Parlamentare vërejti propagandë elektorale për një parti gjatë votimit brenda një qendre votimi.

PD citon më tej komentin e asamblesë ku thuhet se shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit krijoi paqartësi dhe pasiguri, si dhe vështirësi për zbatimin e ndryshimeve të njënashme të cilat u bënë me nxitim, dhe pa konsultime vetëm 9 muaj para zgjedhjeve në kundërshtim me Kodin e Praktikave të Mira të Komisionit të Venecias, ku sugjerohet një periudhë 12 mujore për ndryshimet në sistem.

Edhe Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për medien u shpreh se raporti ka evidentuar të gjithë elementët që tregojnë se 25 prilli ka qenë një masakër zgjedhore e regjimit Rama-Doshi dhe një proces që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë.

"25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë. Këtë e di shumica e shqiptarëve që panë me sytë e tyre se si regjimi Rama-Doshi pengoi ndryshimin. Këtë e evidenton edhe Asamableja Parlamentare e Këshillit të Europës. E cila, në raportin e saj të vëzhgimit, konfirmon elementët që çuan në masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Sepse çfarë tjetër mund të jenë pohime si:

 “Zyrtarët abuzuan me pushtetin e funksioneve publike.”

“Keqqpërdorim i burimeve të administratës”

 “Raportimet për blerje të votës, për ushtrim presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike për të votuar për partinë në pushtet," tha Alibeaj në fjalën e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat