Ambasadori i BE-së mbështet ankimimin e ONM-së për Elisabeta Imerajn

Shqipëria

Ambasadori i BE-së mbështet ankimimin e ONM-së për Elisabeta Imerajn

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 14:49
Luigi Soreca

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka ankimuar vendimin për konfirmimin në detyrë të kryeprokurores, Elisabeta Imeraj sepse sipas tyre nga verifikimi i tri shtyllave të vlerësimit, ajo ka rezultuar me probleme.

Për këtë çështje ka reaguar dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca i cili ka mbështetur ankimimin e ONM-së.

“Mbështesim plotësisht rekomandimin e Vëzhguesve Ndërkombëtarë për apelim. Shpresojmë që Dhoma e Posaçme e Apelit të shqyrtojë çështjen me integritet dhe pavarësi për të siguruar që çështjet e rëndësishme të theksuara në rekomandimin për apelim të konsiderohen siç duhet”, – shkroi diplomati në llogarinë e tij në Twitter.

Po të njëjtin qëndrim mbajti më herët dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim duke theksuar se duhet treguar kurajë dhe integritet në procesin e vetingut në drejtësi në mënyrë që të thyhen modelet e vjetra në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat