Kavaja “merr” frymë lirisht/ Zgjidhje për emergjencën mjedisore nga mbetjet në bregdet

Shqipëria

Kavaja “merr” frymë lirisht/ Zgjidhje për emergjencën mjedisore nga mbetjet në bregdet

Më: 1 gusht 2021 Në ora: 19:33
Foto ilustrim

I hapet drita jeshile zgjidhjes së emergjencës mjedisore të krijuar nga mbetjet urbane në bregdetin dhe territorin e bashkisë së Kavajës.

Prej disa ditësh, qyteti po merr frymë lirisht, ndërsa në zonat turistike për shkak të konsumit të madh situata e mbetjeve urbane vazhdon të jetë problematike.

Ledjo Hysa: Aktualisht kemi pasur problematikën e mbetjeve në qytet dhe zonën e plazhit dhe përfundimisht gjeti një zgjidhje në bashkëpunim me landfillin e Sharrës. Është miratuar një kontratë. Qyteti është i pastër dhe në zonën bregdetare pjesa më e madhe e mbetjeve është hequr.

Teksa pranon situatën e rëndë mjedisore dhe kërkon ndjesë për të, Bashkia e Kavajës deklaron se do të merren masa dhe për vendgrumbullimin e paligjshëm të Kazies, që është ende në përdorim.

“Ishte një kaos total dhe ne kërkojmë shumë falje për situatën e krijuar. Për pjesën e Kazies, kemi diskutuar dhe do të merren masa për sistemimin dhe pastrimin e zonës”.

Aktmarrëveshje me landfillin e Sharrës ka siguruar vënien disi nën kontroll të situatës mjedisore, por Bashkia e Kavajës e pafuqishme për të përballuar koston e lartë të menaxhimit të mbetjeve urbane dhe tarifën hyrëse në landfill për to qëndron në pritje të mbështetjes financiare nga Qeveria.

Në qershor, Këshilli Bashkiak i Kavajës kërkoi nga Qeverisja Qendrore subvencionim për transferimin dhe depozitimin e mbetjeve në landfill, ndërsa është kërkuar edhe ngritja e një stacioni për transferimin dhe diferencimin e mbetjeve urbane para dërgimit në Sharrë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat