​Policia shqiptare pezullon 219 leje drejtimi, 42 të arrestuar

Shqipëria

​Policia shqiptare pezullon 219 leje drejtimi, 42 të arrestuar

Më: 9 gusht 2021 Në ora: 17:30
Foto ilustrim

Policia e Shqipërisë gjatë fundjavës së kaluar ka arrestuar 42 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 18 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 24 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Ndërkohë janë pezulluar 219 leje drejtimi, nga të cilat 123 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 65 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 31 për qarkullim në sens të kundërt.

Gjatë kontrolleve parandaluese, Policia Rrugore ka goditur katër raste të korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, konkretisht dy raste janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës dhe dy nga Njësia për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë.

Shtetasi H. Sh., 30-vjeç, duke drejtuar tip “Porche”, në rrugën “Ded Gjo Luli”, iu ka ofruar para punonjësve të Policisë Rrugore, për shmangien e bërjes së testit të alkoolit.

Shtetasi Z. F., 54-vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në rrugën “Jordan Misja”, iu ka ofruar para punonjësve të Policisë Rrugore, për të shmangur masën administrative, pasi nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.

D. P., 39-vjeç, shtetas kosovar, i cili është konstatuar nga shërbimet e Policisë të Njësinë së Autostradës Milot-Morinë, duke kryer manovra të gabuara me një mjet kamion tip “Scania”, në rrugën Milot-Morinë, iu ka ofruar para shërbimeve të policisë, për të shmangur masën administrative.

Në segmentin rrugor Skurraj - Milot është konstatuar drejtuesi i një mjeti autobus, i cili po qarkullonte pa rrip sigurimi. Pas ndalimit, drejtuesi i autobusit, shtetasi R. S. iu ka ofruar para shërbimeve të Policisë Rrugore, për të shmangur masën administrative.

Si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të adresuara në Komisariatin Digjital dhe në numrin pa pagesë 112, përgjatë fundjavës janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 4.795 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Policia Rrugore apelon qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Digjital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat