Progres Raporti i KE-së, vlerëson ecurinë e punës në Gjykatën e Lartë, rriti efikasitetin e saj me emërimet e reja

Shqipëria

Progres Raporti i KE-së, vlerëson ecurinë e punës në Gjykatën e Lartë, rriti efikasitetin e saj me emërimet e reja

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 12:46
Foto

Komisioni Evropian, në progres raportin për Shqipërinë, vlerësoi ecurinë e punës në Gjykatën e Lartë, duke theksuar se ka rritur efikasitetin e saj me emërimin e gjyqtarëve të rinj, përmirësimin e metodave të punës dhe rritjen e komunikimit dhe transparencës.

Raporti thekson se Gjykata e Lartë filloi plotësimin e saj në mars 2020, me promovimin e gjyqtarëve të rinj nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (3 në mars të 2020-ës; 4 në mars të 2021-it dhe 2 në korrik të po këtij viti). Në pritje të emërimeve të mëtejshme, numri i arritur i gjyqtarëve në detyrë (9) e bën Gjykatën e Lartë plotësisht funksionale. Gjithashtu Kuvendi miratoi ndryshimet në 10-të ligje që synojnë të forcojnë më tej efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe kapacitetin e tij për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Në kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, thuhet se: Gjykata e Lartë ka rritur efikasitetin e saj me emërimin e gjyqtarëve të rinj. Kuadri legjislativ është forcuar më tej për të siguruar një shpërndarje më efikase të drejtësisë. Progresi konstaton se me 9-të gjyqtarë në detyrë, Gjykata e Lartë disponon kuorumin e nevojshëm për të kryer funksionet e saj juridiksionale, shqyrtimin e rekurseve kundër vendimeve të Gjykatave të Specializuara Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe unifikimin e praktikës gjyqësore. Përmbushja e 10-të vendeve gjyqësore të mbetura bosh në Gjykatën e Lartë duhet të vazhdojë me urgjencën më të madhe.ds

Gjykata e Lartë ka numrin më të lartë të çështjeve të mbartura prej 36 288-të rasteve. Megjithatë, pas emërimeve të reja në Gjykatën e Lartë, shkalla e disponueshmërisë u rrit ndjeshëm me 46% në krahasim me vitin e kaluar.

Gjykata e Lartë ka dhënë 3690-të vendime që kur rifitoi funksionalitetin e saj në mars 2020 deri në qershor 2021. Gjatë tremujorit të parë të 2021-it, Gjykata e Lartë ka dhënë 647-të vendime përfundimtare, nga të cilat: 145 të miratuara nga Kolegji Administrativ, 241 nga Kolegji Civil dhe 261 nga Kolegji Penal.

Vlen për tu theksuar vëmendja që ky progres raport i ka kushtuar masave të marra nga Gjykata e Lartë në kuadër të miratimit të udhëzimeve për zvogëlimin e numrit të çështjeve të prapambetura dhe rritjen e efikasitetit. Ndër masat kryesore përmenden gjithashtu edhe rekrutimi i stafit të ri kërkimor, administrativ dhe ligjor, si edhe përmirësimi i metodave të punës dhe rritja e komunikimit dhe transparencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat