Dogjani: Në policinë e shtetit emërohen ata që bëjnë "show" dhe kanë luajtur rolin e servilit ndaj politikës

Shqipëria

Dogjani: Në policinë e shtetit emërohen ata që bëjnë "show" dhe kanë luajtur rolin e servilit ndaj politikës

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 19:47
Asllan Dogjani

Në daljen e tij të parë publike,  më 18 tetor drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit, Gledis Nano, bëri të ditur edhe ndryshimet në kupolën drejtuese.

Disa prej këtyre ndryshimeve kanë qenë të pritshme pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë e Shkodër, të cilat kanë mbetur të pazbardhura.

Asllan Dogjani i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se policia e shtetit fatkeqësisht ka degraduar deri në atë pikë që nuk e zgjidh as emërimi i një drejtori të ri as emërimi i disa drejtorëve bashkë dhe as lëvizjet të cilat sipas Dogjanit bëhen të pa analizuara.

Dogjani: Rendi dhe siguria publike nuk mund të zgjidhet duke hequr një drejtor dhe duke zgjedhur një drejtor tjetër, por reforma duhet të bëhet në sistem, jo në individë. Nëse policia e shtetit do të vazhdojë siç vazhdoi me drejtorin e mëparshëm do të thotë që nuk kemi bërë asgjë pasi ne do të ecim drejt një pasigurie në drejtim të jetës dhe pronës së qytetarëve.

Zoti Dogjani u shpreh se kur bëhen lëvizje në polici, duhet bërë dhe një analizë se pse do të bëhen këto lëvizje dhe çfarë ka shkuar mirë e çfarë keq.

Dogjani: Sot në policinë e shtetit, po t'i shikosh emërimet dhe lëvizjet shikon se emërohen ata njerëz që gënjejnë më shumë, bëjnë show më shumë, paraqiten në opinion publik sikur kanë bërë shumë gjëra, por nuk kanë bërë asgjë. Vetëm kanë luajtur rolin e servilit ndaj politikës, kanë zbatuar urdhrat në politikë, janë fuqizuar duke pasur lidhje të drejtpërdrejta me krimin e organizuar, lidhje të tjera të cilat kanë bërë që policia e shtetit të shkëputet nga detyrat e saj funksionale.

Zoti Dogjani u shpreh më tej se nuk ka transparencë mes policisë së shteti dhe medies e publikut. Nuk ka një marrëdhënie mes medies dhe policisë së shtetit dhe sipas tij ka humbur besimi i opinionit publik te policia e shtetit.

Dogjani: Ne kemi ngjarje që për shkak të paaftësisë së policisë, për shkak të inkriminimit të policisë, për shkak të vendosjes në pozicione kyçe persona politikë qytetarët nuk e kanë marrë shërbimin e duhur. Dikush e merr mbi bazën e bindjeve partiake, por policia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë.

Sipas zotit Dogjani, me gjithë lëvizjet që janë bërë në policinë e shtetit nuk do të ketë asnjë zgjidhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat