VOA: Shqipëria i bashkohet vendeve të shumta që kanë nisur të aplikojnë dozën e tretë të vaksinës

Shqipëria

VOA: Shqipëria i bashkohet vendeve të shumta që kanë nisur të aplikojnë dozën e tretë të vaksinës

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 19:34
Foto ilustrim

Në Shqipëri autoritetet vendosën sot që të aplikohet doza e tretë e vaksinës kundër COVID 19 për qytetarët mbi 60 vjeç, si dhe uljen e moshës së lejuar për vaksinim, duke përfshirë tanimë dhe ata mbi 16 vjeç, apo dhe fëmijët mbi 12 vjeç me probleme shëndetësore. Vendimi vjen në një kohë kur situata nuk po njeh përmirësim, ndërsa vetë procesi i vaksinimit po ecën me ritme të ulta. Shqipëria, sipas të dhënave të “Our world in data”, rezulton të jetë e parafundit në rajonin e Ballkanit sa i takon personave që kanë marrë të dyja dozat, në raport me popullsinë.

Shqipëria i bashkohet vendeve të shumta që kanë nisur të aplikojnë dozën e tretë të vaksinës, duke ulur njëkohësisht dhe moshën e cila deri tani ka qenë për ata mbi 18 vjeç. Komiteti i ekspertëve miratoi sot rekomandimin e bërë disa ditë më parë nga Komiteti i vaksinave.

“Qytetarët të cilët mbi 60 vjeç të bëjnë dozën e tretë të vaksinës, jo më herët se sa 6 muaj pasi kanë bërë dozën e dytë, sipas udhëzimeve të hollësishme që jep Instituti i Shëndetit Publik, duke filluar kjo që nga data 1 nëntor e këtij viti. Fëmijët të cilët janë mbi 16 vjeç do të ftohen për t’u vaksinuar edhe ata gjithmonë me konsentin e prindit, me rekomandimin e mjekut të familjes ose mjekut pediatër, në përputhje me udhëzimet e Institutit të Shëndetit Publik, duke filluar edhe këto nga data 1 nëntor e këtij viti. Do të ftojmë për vaksinim edhe fëmijët të cilët janë 12 – 15 vjeç dhe paraqesin sëmundje që kanë të bëjnë me ulje të imunitetit”, bëri të ditur kryetarja e Komitetit të Ekspertëve Mira Rakacolli.

Komiteti megjithatë saktësoi se përparësi mbetet vaksinimi me dy dozat e para të vaksinës.

Ndonëse ishte ndër vendet e para në Ballkan, që nisi vaksinimin, ritmi i këtij procesi ka rënë. Sipas të dhënave të “Our world in data”, një faqe e specializuar për statistikat, e së cilës i referohen dhe institucionet ndërkombëtare, Shqipëria rezulton të ketë mbetur e parafundit në rajon, sa i përket mbulimit vaksinal në raport me popullsinë e saj. Ajo lë pas vetëm Bosnjen, ndërsa Kosova e cila nisi shumë më vonë tani është në krye të listës.

Autoritetet shqiptare përllogarisin mbulimin vaksinal, mbi popullsinë mbi 18 vjeç, së cilës i lejohet vaksinimi. Deri më tani rezulton që të kenë marrë të dyja dozat gati 40 përqind e kësaj pjse të popullatës, ndërsa me një dozë, pak më shumë se 45 përqind e saj. Por edhe me këtë përllogaritje, pozicioni i saj në krahasim me vendet e tjera nuk është se ndryshon shumë.

Në vend situata e pandemisë prej gati tre javësh po qëndron thuajse në të njejtat nivele, pa ndonjë përmirësim të dukshëm. “Në Shqipëria incidenca dy javore është 222 për 100 mijë banorë, pra raste të reja të infektuara për 100 mijë banorë. Ka një rritje të rasteve aktive totale në këtë periudhe 6444 nga 6397 që i përkon shifrës 226 për 100 mijë banorë. Numri i bashkive të prekura është rritur dhe ka shkuar në 48”, deklaroi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico.

Mesatarja ditore e shtrimeve në spital në harkun një javor, ka qenë 157 pacientë, ndërsa e atyre në gjendje të rëndë 20. Pozitiviteti mbetet po ashtu i lartë në mbi 13 përqind. Megjithatë sipas Komitetit të Ekspertëve nuk ka vend për ashpërsim të mëtejshëm të masave shtrënguese që janë në fuqi./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat