Çfarë fshihet pas show-t bajat të Ramës me rrugën e pambaruar të Arbrit

Shqipëria

Çfarë fshihet pas show-t bajat të Ramës me rrugën e pambaruar të Arbrit

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 18:11
Edi Rama

Show i fryrë i Edi Ramës dje në rrugën e Arbrit mori përgjigjen cinike të natyrës, e natyrisht edhe ndëshkoi gjithë atë zallamahi koresh folklorike që në Shqipëri lëvizin pas Berishajt.

Edhe pse dje ishte një kohë e stuhishme, një turmë e madhe u sul me makina në rrugë për të prekur “dhuratën e Bablokut, a thua se e kishte bërë me paratë e veta.

Në fakt, duhet të ishte qeveria që kishte për detyrë të frenonte këtë zallamahi, pasi rrezikohej seriozisht jeta dhe siguria e qytetarëve që u nisën me turravrap nga Tirana për në Dibër, e anasjelltas.

E në këtë pikë, qeveria ka kryer një shkelje të rëndë, që mund të konsiderohet edhe vepër penale në një vend normal ku sundon rendi dhe ligji.

Edi Rama mund ta bënte fare mirë hapjen ceremoniale të rrugës, por nisur nga moti shumë i keq, parashikimet sinoptikale që tregonin për borë e shtrëngata të forta, duhet të ishte ndaluar me çdo kusht një derdhje të njerëzve me makina në rrugë.

Pasi erdhëm në orët e natës, ku ajo tollumbace e paraditës u shfry së bashku me fryrjen si gjeldeti të kryeministrit dhe sejmenëve të tij që ngërdheshin para kamerave televizive.

Rruga e Arbrit është një investim që ka nisur që në vitin 2017, por një pjesë e saj, kryesisht ajo e fillimit nga Tirana, i kishte fillimet që në kohën e qeverisë së Sali Berishës.

Edhe pse qeveria Rama ia dha me PPP rrugën kompanisë “Gjoka- Construction”, e cila i ka marrë vazhdimisht sipas kontratës këstet e parave, sërish  rruga me vetëm 47 kilometra nuk është përfunduar.

Madje në letra, e kishte që do të duhet të përfundonte në vitin 2022-në pranverë. E sipas etapave të parashikuara në planin e biznesit, ecuria e punëve është mjaft e ngadalshme e kanë dalë shumë probleme rrugës që janë reflektuar edhe në shtesa buxheti.

Tuneli i Murrizit, sipas gjasave ngaqë ka pasur një studim të dobët gjeologjik, apo (larg qoftë) kanë ulur koston e materialeve, por edhe të punimeve, është jo vetëm i papërfunduar, por ka një rrezik shembje, siç ka ndodhur disa herë gjatë këtij viti.

Rruga u përurua, me tunel të mbyllur, e me kosto shtesë të paparashikuara në kontratë, e ku nuk dihet ku janë marrë paratë, që është edhe abuzim financiar po ta shikosh me kujdes.

Kur rruga nuk ishte përfunduar, përse atëherë Edi Rama bëri gjithë atë teatër tallava në një rrëpirë të zonës së Matit?  Kur vetë ka thënë se nuk do të bëjë si Berisha që përuroi rrugë të lëna rrugëve!?

Atë duhet ta thotë natyrisht vetë Rama, që të vihet përpara përgjegjësisë në radhë të parë nga opozita, e më pas nga media e shoqëria.

Asnjë fjalë nuk u tha dje nga opozita për përurimin e rrugës së Arbrit. Që i frikësohet të vërtetës se gjasme nuk do të merrte simpatinë e dibranëve. Të thuash të vërtetën është detyrim, edhe pse mund të humbësh një simpati politike. Por gjithçka tek ne ka lidhje vetëm me erën e pushtetit.

Edi Rama e përuroi rrugën e Arbrit vetëm që të paraprinte zgjedhjet e pjesshme lokale, ku Dibra është një nga 5 bashkitë ku pritet të zhvillohen votime.

Kjo sepse kryetari i zgjedhur më 30 qershor 2019, Dionis Imeraj dha dorëheqjen, ngaqë kandidoi për deputet. Tërheqja e tij ishte urdhër nga Rama për t’i hapë rrugë atij që e “pagëzoi” me nofkën Babloku, Ymer Lalës. Vajza e së cilit, ish-deputete për 4 vitet e shkuara, ndoshta pret që të ulet në fronin e kreut të bashkisë së Peshkopisë, apo edhe ndonjë kandidat tjetër që ka bekimin e Ymerit të famshëm.  Me një auroeolë si e pavarur. ..

Po PD-ja? Përse nuk e kthen këtë një betejë kundër krimit të organizuar dhe mashtrimit? I ka të gjithë mundësitë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat