Këshillimi Kombëtar, Rama publikon pyetjen për kontributet shoqërore të pensionistëve

Shqipëria

Këshillimi Kombëtar, Rama publikon pyetjen për kontributet shoqërore të pensionistëve

Më: 22 janar 2022 Në ora: 14:10
Ilustrim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikoi sot pyetjen e katërt të formularit të Këshillimit Kombëtar, një nismë që synon marrjen e mendimit të qytetarëve mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë.

Pyetja e katërt e formularit ka të bëjë me pagesën e kontributeve shoqërore nga ata që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë ende të punojnë.

“Ka njerëz që thonë se ata që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë ende të punojnë, nuk duhet të paguajnë kontributet shoqërore. Të tjerë mendojnë që nuk duhet bërë një diferencim i tillë. Si mendoni ju?”, është pyetja që shtrohet në formular.

Pyetja ka edhe një sqarim të çështjes ku thuhet se “pensionistët e kanë dhënë kontributin e tyre financiar gjatë gjithë viteve të punës deri në momentin e daljes në pension. Pas këtij momenti, nëse ata zgjedhin të vazhdojnë të punojnë, nuk kanë përse të vazhdojnë të paguajnë sigurimet shoqërore, përderisa detyrimin e tyre e kanë shlyer më parë”.

Qytetarët kanë tri mundësi për të kthyer përgjigje: Pensionistët që punojnë nuk duhet të paguajnë kontribute shoqërore; Nuk ka nevojë për këtë diferencim për pensionistët që punojnë; Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje.

Rama theksoi se “me falënderimin e madh për 16.544 bashkëqytetarët e bashkëqytetaret, kudo ndodhen, që janë përfshirë deri mbrëmë në Këshillimin Kombëtar, duke e plotësuar pyetësorin online qysh në 24 orët e para, ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij kuvendimi popullor për çështje me rëndësi strategjike për Shtëpinë tonë Shqipërinë”.

Kush dëshiron mund të marrë pjesë duke klikuar në https://keshillimikombetar.al/”.

Në 5 janar të këtij viti, Kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit./Atsh.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat