“Rithemelimi” cakton kryetarët e rinj/ Pesë degët e PD-së ku po zhvillohen sot zgjedhje

Shqipëria

“Rithemelimi” cakton kryetarët e rinj/ Pesë degët e PD-së ku po zhvillohen sot zgjedhje

Më: 18 prill 2022 Në ora: 10:37
“Rithemelimi” cakton kryetarët e rinj/ Pesë degët e PD-së ku po zhvillohen sot zgjedhje

Zgjedhjet për kryetarët e degëve të Partisë Demokratike vazhdojnë këtë të hënë në gjashtë degë të tjera.

Në kryeqytet, në degën 1, Alban Petku garon përballë Fetah Hasanajn, në degën 5 janë pesë kandidatë për postin e kryetarit: Alfred Tusha,  Andon Frrokaj, Dritan Kociaj, Enkeleda Mushi dhe Fatmir Myrta, ndërsa në degën 8, Gazmend Sallaku garon përballë Ylli Subashit

Katër kandidatë kërkojnë postin e kryetarit të degës së PD Berat: Shyqyri Duro, Ermal Dollani, Oltion Merdari dhe Afrim Merko.

Në degën e PD Librazhd kërkojnë drejtimin Ilirjan Alliu, Ndricim Lila dhe Shefki Cota.

Degën e PD Prrenjas duan të drejtojnë Arjan Karriqi dhe Ardian Leka që garojnë përballë njëri-tjetrit.

Procesi i votimit është hapur në orën 8.00 e do të mbyllet në orën 18.00, për të vazhduar më pas me numërimin e fletëve të votimit dhe shpalljen e fituesve.

Një ditë më parë, 18 degë të tjera u përfshinë në procesin e zgjedhjeve të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit, i drejtuar nga Sali Berisha.

Në kryeqytet, Gëzim Demushi u shpall kryetar i degës 3. Anëtarësia e degës 9 votoi Eda Grimcin, ndërsa demokratët e degës 13 votuan Arsen Valisi që grumbulloi 61% të votave. Hysen Kadiu u zgjodh kryetari i ri i Partisë Demokratike në Kavajë. Arjan Hoxha do të jetë kryetari i ri degës së PD-së në Kamzë, pasi ka marrë 788 vota.

Kryetar i PD dega Kukës u shpall Admir Behlul Sinamati me 91% të votave. Në degën e Hasit, fitues i degës blu u shpall Elez Maçi.

Pas numërimit të fletëve të votimit të demokratëve, në Cërrik fituese u shpall Nadire Asllani me 78% të votave.

Eris Shehaj u zgjodh kryetar i degës së Partisë Demokratike në Gjirokastër. Ai mori 348 vota përballë 268 votave që grumbulloi kandidati tjetër Daniel Sino. Kryetar i PD-së, dega Përmet u shpall Arson Kleanthi Lipe me 81 % të votave, ndërsa në Këlcyrë kryetar i degës u shpall Arjan Kasa me 92% të votave. Në Tepelenë, kryetar i degës së të djathtëve u shpall Malo Hydai Sadikaj me 87% të votave.

Kryetar i degës së PD-së në Memaliaj u shpall Bujar Pasho Kapllani me 87.7% të votave, ndërsa në Patos fitoi Shezaim Ymeraj me 69% të votave.

Në degën e PD Pogradec, kryetar do të jetë Genti Çela, i cili ka marrë 379 vota përballë rivalit të tij, që ka marre 312 vota.

Në Vlorë, fitues u shpall Atird Hoxha ndërsa në  Sarandë, fituese u zgjodh Manjola Nikollo me 73% të votave.

Këto zgjedhje kanë vënë sërish në dukje mosmarrëveshjet brenda të djathtëve. Në Kukës, kandidati Irel Elezi mori 58 vota hoqi dorë nga gara vetëm një orë pasi kishte nisur votimi. Si zë kritik brenda strukturave, në shumë raste ai ka qenë kundër Lulzim Bashës, ndërsa të dielën tregoi se është dhe kundër Rithemelimit. Ai u shpreh se u tërhoq nga gara për shkak të manipulimit të listave të emrave, ndërkohë që fituesit e degëve kanë shfaqur mbështetjen për Berishën.

Zgjedhjet sipas parimit një anëtar, një votë janë zhvilluar në disa nga degët e PD-së në vend, ndërsa pritet që procesi në vazhdojë në ditët në vijim. Zgjedhja e kryetarëve të rinj është nismë e grupit të Rithemelimit që drejtohet nga Sali Berisha dhe që është kundërshtuar nga grupi tjetër që mbështet Enkelejd Alibeajn. Vetë kryetari i komanduar i PD-së, Alibeaj është shprehur se në këtë mënyrë, Berisha po e thellon përçarjen në PD dhe nuk po kontribuon në bashkimin e partisë, ashtu sikurse ish-kryeministri pretendon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat