Thirren edhe Alibeaj, Basha e Bardhi/ PD mbledh sot Këshillin Kombëtar, palët vendosin për Presidentin!

Shqipëria

Thirren edhe Alibeaj, Basha e Bardhi/ PD mbledh sot Këshillin Kombëtar, palët vendosin për Presidentin!

Më: 6 maj 2022 Në ora: 09:20
Sali Berisah dhe Enkelejd Alibeaj

Sot në orën 18:00, Partia Demokratike pritet të mbledhë Këshillin Kombëtar,  mbledhja e parë kjo pas Kuvendit të 30 prillit, të thirrur nga Berisha, që zgjodhi edhe anëtarët e rinj të këtij organi të rëndësishëm.

Qëllimi i mbledhjes nuk është vetëm konstituimi por edhe do të përcaktohet qëndrimi politik i PD për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, për të cilin Alibeaj duket se është më bashkëpunues me mazhorancën ndërsa Komisioni i Rithemelimit vendos kushte se do të futen në negociata vetëm nëse mazhoranca do të pranonte kandidatin e tyre.

Kujtojmë se, anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD janë edhe Enkelejd Alibeaj, Lulzim Basha, Gazment Bardhi dhe të gjithë deputetët e tjerë që nuk i janë bashkuar Berishës, ndërsa pritet të shihet nëse ata do të jenë apo jo në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të ditës së sotme.

Ditën e djeshme, Enkelejd Alibeaj mblodhi Grupin Parlamentar të PD, mbledhje, e cila u shoqërua me debate të ashpra, pasi kishte deputetë që kërkonin të shtyhej takimi për një ditë tjetër në mënyrë që të bashkoheshin edhe mbështetësit e Berishës.

Alibeaj bëri të qartë 2 qëndrime, së pari që PD-ja nuk do e bojkotojë procesin e konsultimeve, pasi shumica e të pranishmëve ishin ‘pro’ uljes në tryezë me mazhorancën, por që të mos lejohen që të përdoren, nisur edhe nga fakti që Edi Rama i ka votat për ta zgjedhur të vetëm presidentin.

Sipas Alibeajt, pika e dytë ishte se nga ky proces do të merret edhe mendimi i grupit të mbështetësve të Sali Berishës. Për këtë, deputetët duhet të dorëzojnë deri të dielën kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes dhe më pas Alibeaj do te bëjë përmbledhjen e qëndrimeve dhe dokumenti do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Grupit Parlamentar, ku do të jetë i ftuar dhe Komisioni i Rithemelimit.

Pasi të arrihet dakordësia për këto 2 hapa, atëherë do opozita do të dalë me emra konkret për t’u ulur në tryezë me socialistët. Megjithatë, pritet të shohim nëse palët kundërshtare brenda PD do të bëhen të gjithë bashkë sot për të gjetur gjuhën e përbashkët në lidhje me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat