A mund të jetë Fatos Nano një kandidat për president? Flet Damian Gjiknuri

Shqipëria

A mund të jetë Fatos Nano një kandidat për president? Flet Damian Gjiknuri

Më: 21 maj 2022 Në ora: 18:17
Fatos Nano dhe Damian Gjinkuri

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, nuk e përjashtoi emrin e Fatos Nanos si një kandidat të mundshëm për postin e presidentit të vendit.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, Gjiknuri tha se nëse opozita bie dakord për ish-kryeministrin Nano, ai mund të jetë një prej kandidatëve të mundshëm për tu vendosur në krye të shtetit.

“Personalisht nuk e përjashtoj. Përjashtimi i vetëm për ne është që të mos jetë pjesë e grupit parlamentar të PS-së. Nëse opozita e pranon edhe ai mund të jetë kandidat”, tha Gjiknuri.

Nga ana tjetër Gjiknuri e cilësoi kërkesën e opozitës për t’i zhvilluar negociatat përpara kamerave si një tregues të frikës për të marrë vendime.

“Nuk e kuptoj si mund të zhvillohen negociata me kamera. E di si më duket kjo e kamerave, si ai njeriu që ka frikë të marrë vendime. Nuk është transparencë. Ka vendime që merren përpara kamerave, si p.sh. të themelosh një princip, siç ne ramë dakord në atë tavolinë që u bë me kamera, që ramë dakord të diskutojmë propozimet e opozitës.

Kjo është thjesht paaftësi për të marrë vendime, të kem kamerat aty që të dëgjojnë tifozët e mi. Ose si ai njeri që bërtet “partizani në luftë po shkonte”, pra i jep forcë vetes. Nuk zhvillohen kështu, nuk bëhet kështu diplomacia. Nuk bëhen vendimarrjet me ultimatume apo me pozicione tifozësh. Ata që duan t’i bëjnë me forma të tilla nuk duan të marrin vendime”, tha Gjiknuri.

Gjithashtu ai sqaroi se është keqkuptuar pjesa e firmave, pasi Partia Socialiste nuk i kërkoi grupit negociator të PD-së 20 firma, por i kërkoi emra konkretë.

“Është keqkuptuar kjo pjesa e firmave. Ne nuk i kemi thënë hajde me firma, por hajde me emra në tryezën e negociatave. Nëse biem dakord për një emër pastaj ke detyrimin të sjellësh firmat. Partia Socialiste në momentin që bie dakord për emrin siguron votat e saj, ama dhe t’i nga ana tjetër sigurosh votat, 20 firmat duhet t’i kesh të garantuara që të propozosh më pas emrin”, tha Gjiknuri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat