Me ceremoni shtetërore, sot i jepet lamtumira e fundit ish-presidentit Bujar Nishani! Flamujt ulen në gjysmështizë

Shqipëria

Me ceremoni shtetërore, sot i jepet lamtumira e fundit ish-presidentit Bujar Nishani! Flamujt ulen në gjysmështizë

Më: 2 qershor 2022 Në ora: 08:28
Bujar Nishani

Institucioni i Presidencës hapi për dy ditë rresht dyert e mortit për ish-drejtuesin e saj, Bujar Nishani. Trupi i pajetë i ish-kreut të shtetit mbërriti në Shqipëri herët në mëngjesin e së mërkurës nga Gjermania, ku ndërroi jetë pasi ishte shtruar në spital.

Që prej ditës së djeshme, arkëmorti i ish-kreut të shtetit është vendosur në sallën “Skëndërbeu” në presidencë, ku familjarët pritën mesazhet e ngushëllimit. Ndërkohë, sot Bujar Nishatin do t’i jepet lamtumira e fundit përmes një ceremonie zyrtare. Dje u mblodh Këshilli i Ministrave dhe shpalli ditën e enjte, 2 qershor, ditë zie kombëtare.

Në mbledhjen e djeshme u vendos që sot flamujt në të gjithë institucionet e vendit të ulen në gjysmështizë, në shenjë nderimi për ish-Presidentin. “Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 2.6.2022, në nderim të të ndjerit z. Bujar Nishani, ish-President i Republikës së Shqipërisë, ish-ministër dhe ishdeputet.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e enjte, datë 2.6.2022, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë për vitin 2022”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Ndërkohë, sot do të bllokohet bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga ura e Lanës deri tek institucioni i Presidencës. Nga ora 10 deri në 12 do të priten vizitat për homazhe me ceremoni zyrtare. Ndërkohë, pas orës 12:00, arkëmorti do përcillet në këmbë deri tek ura e Lanës, ku më pas kortezhi do të niset drejt varrezave të Sharrës.

HOMAZHET E FAMILJARËVE

Familjarët e të ndjerit Bujar Nishani pritën dje në institucionin e presidencës mesazhet ngushëlluese për miqtë, dashamirësit dhe bashkëpunëtorët e ish-Presidentit, ish-ministrit dhe ishdeputetit demokrat. IshKryeministri Sali Berisha mbërriti dje në mëngjes së bashku me bashkëshorten e tij për ngushëllime.

Por, Berisha nuk ishte i vetmi figurë publike që zhvilloi homazhet ditën e pritjeve për familjarët, miqtë e afërt. Adi Krasta, Lutfi Dervishi dhe ish-funksionarë të Partisë Demokratike ndër vite mbërritën dje në sallën “Skënderbeu” në presidencë për të nderuar bashkëpunëtorin dhe mikun e tyre. Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, ish-ministri i Financave, Genc Ruli, Eno Bozdo, Edi Paloka, Sait Dollapi, Eduart Halimi, Bujar Leskaj, Isuf Çela dhe shumë personazhe të tjerë politikë në radhët e PDsë përcollën mesazhet e tyre të ngushëllimit tek familja e ish-Presidentit.

Ndërkohë, Dega 6 Kombinat ka dërguar një kurorë me lule me mbishkrimin e tyre me një mesazh ngushëllimi për familjarët. Ish-Presidenti Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56- vjeçare. Prej më shumë se një muaji ai u transferua nga spitali “Shefqet Ndroqi” në një spital në Gjermani për një trajtim më të specializuar, por sipas mjekëve atje ra në gjendje kome.

Nishani u shtrua në ish-Sanatoriumin e Tiranës në datën 20 prill, për shkak të komplikacioneve të një pneumonie të mbivendosur mbi fibrozat postcovid në mushkëri. Në 23 prill u zhvendos në Gjermani. Nishani vuante nga një sëmundje autoimune në mushkëri dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi i Covid-19 i la në organizëm. Ai është i dyti ish-President shqiptar pas Ramiz Alisë që ndahet nga jeta. Ish-Presidenti i parë pluralist pas viteve ‘90, Ramiz Alia, është përcjellë në 9 tetor 2011 për në banesën e fundit, ndërsa homazhet për nder të tij janë zhvilluar për një orë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Atë kohë, protokolli i shtetit zhvilloi një ceremoni zyrtare, por pa të shtëna armësh dhe pa bandë nderi e truprojë.

Dt. 2 qershor 2022 (e enjte)

Ora 10:00-12:00- Homazhet zyrtare sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit

Pas orës 12:00- arkëmorti me trupin e Presidentit Nishani, i shoqëruar nga kortezhi mortor, shkon në këmbë deri tek ura e Lanës, pastaj niset drejt varrezave të Sharrës, ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit.

Ceremonia e varrimit dhe fjalime lamtumire.

Dreka mortore në nderim të të ndjerit President Bujar Nishani

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat