Shqipëria i hap rrugë legalizimit të kanabisit mjekësor

Shqipëria

Shqipëria i hap rrugë legalizimit të kanabisit mjekësor

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 17:55
Foto ilustrim

Në kuadër të përgatitjeve për të legalizuar kultivimin e kanabisit mjekësor, Qeveria e Shqipërisë të enjten ka njoftuar se do të themelojë Agjencinë Kombëtare për licencimin e kompanive që do të merren me këtë veprimtari dhe ka nisur hartimin e ligjeve që do ta rregullojnë atë.

Vendimi për të proceduar me krijimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale për kultivimin e bimëve narkotike për shkaqe shëndetësore vjen pas një ankete të administruar nga qeveria socialiste e udhëhequr nga Edi Rama në Shqipëri, në të cilën 61 për qind të qytetarëve që iu përgjigjën thirrjes së qeverisë për t’u deklaruar rreth kësaj dhe çështjeve të tjera, e përkrahën iniciativën.

Nga 500 mijë qytetarë që i janë përgjigjur pyetësorit të qeverisë, 308 mijë kanë mbështetur legalizimin e kultivimit të kanabisit, ndërkohë që 143 mijë e kanë kundërshtuar dhe rreth 50 mijë nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim.

Shqipëria ndër vite ka kultivuar kanabisin dhe vendi është njëri nga prodhuesit dhe eksportuesit kryesor ilegal të kësaj substance narkotike në Evropë.

Ligji që do ta legalizojë kultivimin e kanabisit në Shqipëri pritet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, ndonëse jo pa kundërthënie.

Ndonëse legalizimi i përdorimit vetjak të kanabisit është kundërshtuar nga deputetët e dy partive, deputetët demokratë kanë kundërshtuar legalizimin e kultivimit të tij për shkaqe shëndetësore.

Sipas ligjit të hartuar nga qeveria, licenca për kultivimin do të jepet për 15 vjet për të kultivuar 150 hektarë kompanive që kanë një kapital fillestar prej 100 milionë lekësh dhe përvojë në kultivimin e bimëve mjekësore.

Licenca do të miratohet me vendim të qeverisë, me propozim të ministrit të Shëndetësisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat