Sulmi kibernetik, Rama: Agresori s’e shembi mbrojtjen tonë! Meta: Tepër e rëndë situata e krijuar

Shqipëria

Sulmi kibernetik, Rama: Agresori s’e shembi mbrojtjen tonë! Meta: Tepër e rëndë situata e krijuar

Më: 18 korrik 2022 Në ora: 14:46
Ilir Meta dhe Edi Rama

Politika shqiptare ka reaguar për sulmin kibernetik me të cilin është përballur Shqipëria të premten. Kryeministri Edi Rama shkruan se sistemi mbrojtës nuk është shembur dhe se shërbimet do të kthehen shumë shpejt.

Kundërofensiva e AKSHit dhe aleatëve në përballjen e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë,po rezulton e qëndrueshme dhe e suksesshme!Agresori nuk ka arritur të shembë sistemin e mbrojtjes dhe është në tërheqje!Nëse s’do kemi surpriza të tjera,shërbimet do rikthehen shumë shpejt”, shkruan Rama.

Për sulmin kibernetik ndaj faqeve online qeveritare ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta. Përmes një postimi në Facebook, Meta e ka vlerësuar të rëndë situatën e krijuar si pasojë e bllokimit të shërbimeve publike, teksa ka apeluar për marrjen e masave të menjëhershme.

E vlerësoj tepër të rëndë situatën e krijuar si pasojë e bllokimit të shërbimeve publike online, që ka krijuar vështirësi të jashtëzakonshme për qytetarët, bizneset dhe për shumë veprimtari të tjera të lidhura me këtë sistem.

Në mënyrë të përsëritur edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare përpara agresionit kundër Ukrainës, kam kërkuar marrjen e të gjitha masave për rritjen e sigurisë kibernetike, për të parandaluar ngjarje të tilla.

Kjo situatë, në kontekstin edhe të zhvillimeve të brendshme dhe ndërkombëtare, e rëndon akoma më shumë dhe e kompromenton funksionimin e shtetit, në të gjitha hallkat, ku veçanërisht qytetarët janë ata që i vuajnë pasojat më së shumti.

Apeloj marrjen e masave të menjëhershme, serioze dhe të përgjegjshme, duke mobilizuar ekspertizën e nivelit më të lartë profesional për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe vënien nën kontroll të situatës, për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”, ka shkruar Presidenti Meta në Facebook

Përmes një deklarate për mediat, Kryeministria bën me dije se sulme të tilla me të cilat u përball Shqipëria ditën e premte, kanë ndodhur gjatë kohëve të fundit edhe në Gjermani, Ukrainë, Holandë, Belgjikë e Lituani. Qeveria siguron se për shkak të reagimit të shpejtë, asnjë informacion nuk është kompromentuar dhe të dhënat qeveritare janë të paprekura dhe të sigurta.

Për shkak të sulmit kibernetik nga jashtë Shqipërisë ndaj shërbimeve qeveritare online të vendit tonë, AKSHI ka pezulluar portalin qeveritar e-Albania dhe të gjitha shërbimet e tjera dixhitale deri në marrjen e masave.

Pas Kryeministrisë, AKSHI-t, Ministrisë së Arsimi, Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme edhe Kadastra njofton qytetarët për bllokimin e punës për shkak të sulmit kibernetik mbi shërbimet online. Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton qytetarët se nuk mundësohet aplikimi për shërbimet kadastrale nëpërmjet e-Albania, deri në një njoftim të dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat