Raporti i Bankës së Shqipërisë: Rritja e çmimeve po shton pesimizmin e biznesit

Shqipëria

Raporti i Bankës së Shqipërisë: Rritja e çmimeve po shton pesimizmin e biznesit

Më: 9 gusht 2022 Në ora: 07:33
Foto ilustrim

Bizneset janë më pesimiste mbi situatën ekonomike dhe kjo dëshmohet edhe nga rënia e besimit në industri, ndërtim, shërbime dhe tregti.

Shqetësimi është ngritur nga Banka e Shqipërisë, që një ditë më parë ka prezantuar të dhënat mujore të “Vrojtimit të besimit të biznesit dhe konsumatorit”.

Në raport vihet në dukje se përgjatë muajit që shkoi, treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi rënie me rreth 2.5 pikë krahasuar me muajin qershor.

“Treguesi i ndjesisë ekonomike rezultoi 106.9, duke shënuar rënie me rreth 2.5 pikë në muajin korrik. Megjithatë, vlera e tij mbeti mbi mesataren afatgjatë. Rënia e TNE-së u përcaktua nga përkeqësimi i besimit në industri, ndërtim, shërbime dhe tregti. Ndërkohë, treguesi i besimit të konsumatorëve regjistroi pothuajse të njëjtat vlera si një muaj më parë”. 

VËZHGIMI

Konkretisht, treguesi i besimit të industrisë u pakësua me 3.2 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar kryesisht nga rënia e balancës për prodhimin aktual dhe asaj të kontratave porositëse.

Ndërkohë, pritjet e bizneseve për prodhimin dhe çmimet në të ardhmen janë në rritje në muajin korrik dhe ato për punësimin janë në rënie të lehtë. Në rënie është edhe treguesit i besimit në ndërtim dhe tregti, përkatësisht me 0.5 për qind dhe 6.1 për qind.

“Treguesi i besimit në ndërtim regjistroi rënie me 1.9 pikë përqindje krahasuar me një muaj më parë. Ky zhvillim u ndikua si nga përkeqësimi i balancës për aktivitetin ndërtues, ashtu edhe nga treguesi për kontratat porositëse. Rënie regjistruan pritjet për punësimin, por edhe ato për çmimet, pas rritjes së dukshme të muajit paraardhës. Treguesi i besimit në tregti ra lehtësisht për të dytin muaj me radhë, pas rritjes në muajin maj. Në muajin korrik u verifikua një rënie me 0.5 pikë përqindje. Treguesi u ndikua kryesisht nga vlerësimet jo të mira të bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre”. 

Ndërkohë duket se rënien më të madhe e ka pësuar treguesi i besimit në shërbime, konkretisht me 6.1 pikë përqindje në muajin korrik, ndikuar nga performanca më e dobët e treguesve të ecurisë së biznesit dhe kërkesës për shërbime.

Bizneset në aktivitetin e shërbimeve vlerësojnë një reduktim të ndjeshëm të punësimit aktual. Ndërkohë, pritjet për punësimin janë në kahun e përmirësimit të lehtë.

Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen e afërt u paraqitën me rënie. Gjithashtu, pritjet për ecurinë e biznesit në muajt e ardhshëm dhe punësimin janë në dobësim, krahas pritjeve për çmime në rritje.

BESIMI KONSUMATOR

Sa i takon treguesit të besimit konsumator, rezultoi me vlerë thuajse të njëjtë në muajin korrik, si edhe një muaj më parë, por duke vijuar të mbetet larg mesatares afatgjatë.

“Treguesi pasqyroi vlerësimin më pozitiv të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si dhe situatën për të ardhurat dhe shpenzimet. Nga ana tjetër, situata e tyre financiare dhe gjendja e përgjithshme e ekonomisë në të ardhmen paraqitet në rënie. Konsumatorët vlerësojnë me rritje ecurinë aktuale të çmimeve, kundrejt pritjeve për ngadalësim të tyre në të ardhmen”, thuhet më tej në raportin mujor të Bankës së Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat