Drejtonte skafin në zonë të kufizuar për mjetet lundruese, ndëshkohet me masë administrative 28-vjeçari në Ksamil

Shqipëria

Drejtonte skafin në zonë të kufizuar për mjetet lundruese, ndëshkohet me masë administrative 28-vjeçari në Ksamil

Më: 15 gusht 2022 Në ora: 18:45
Foto ilustrim

Siguria në plazhe vijon të jetë shqetësuese si pasojë e pakujdesisë së drejtuesve të mjeteve lundruese.

Një tjetër 28-vjeçar është ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekëve të reja dhe i është bllokuar skafi ditën e sotme pasi drejtoi mjetin lundrues në një zonë që është e kufizuar për mjetet lundruese.

Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve, përgjatë vijës bregdetare të Sarandës, në kuadër të masave të marra për sezonin turistik, kanë konstatuar në plazhin e Ksamilit, një mjet lundrues tip skaf duke ushtruar aktivitetin e tij brenda zonës së kufizuar për mjetet lundruese dhe menjëherë kanë bërë shoqërimin e tij, në Portin e Sarandës, për verifikime të mëtejshme.

Në bazë të ligjit nr.43, të vitit 2020, drejtuesi i mjetit lundrues tip skaf, shtetasi K. M., 28 vjeç, banues në Ksamil, u ndëshkua me masë administrative 100.000 lekë të rinj për shkelje të nenit 24/1/c, pasi nuk respektoi zonën e kufizuar për mjetet lundruese si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues dhe u ndëshkua me masën tjetër administrative 10.000 lekë të rinj për shkelje të nenit 14/1/b, pasi gjatë kontrollit rezultoi pa dokumentacionin përkatës, në bord.

Policia Kufitare do të vijojë kontrollet dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat