Diplomatët iranianë djegin dokumentet e tyre, intervenon policia shqiptare

Shqipëria

Diplomatët iranianë djegin dokumentet e tyre, intervenon policia shqiptare

Më: 8 shtator 2022 Në ora: 12:07
Policia duke hyrë në Ambasadën iraniane në Tiranë. 8 shtator 2022.

Diplomatët iranianë të enjten kanë braktisur Ambasadën e Republikës Islamike te Iranit ne Tiranë pas urdhrit të Qeverisë shqiptare që të largohen nga Shqipëria për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.

Njësitet speciale të Policisë se Shtetit, si RENEA dhe njësia anti-eksploziv janë futur në ambientet e Ambasadës pas largimit të stafit, i cili u nis me përcjellje të Policisë drejt Aeroportit të Rinasit.

Më herët gjatë të enjtes, diplomatët iranianë dogjën dokumentet e tyre. 

Shqipëria më 7 shtator ndërpreu raportet diplomatike me Iranin, duke e akuzuar Republikën Islamike se qëndron prapa një sulmi kibernetik që ndodhi në korrik.

Gjatë një video-adresimi të mërkurën, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, urdhëroi diplomatët dhe stafin që të mbyllnin ambasadën dhe të largohen nga shteti brenda 24 orëve.

Kjo është hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s zyrtarisht fajëson Iranin për organizim të një sulmi kibernetik dhe ndërmerr masa të tilla.

Rama tha se sulmi kibernetik i korrikut ka kërcënuar paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve digjitale si dhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

Ky sulm preku edhe platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët pajisen me shumicën e dokumenteve.

Një dëshmitar i tha Reuters se ka parë një person brenda ambasadës duke hedhur letra në një fuçi me zjarr.

Uashingtoni, aleati i ngushtë i Tiranës, po ashtu ka fajësuar Iranin për sulmin dhe ka premtuar se do të “ndërmarrë hapa të mëtejmë që Irani të mbahet përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë” e Shqipërisë.

Teherani ka dënuar vendimin e Tiranës për të ndërprerë raportet diplomatike, duke thënë se për këtë çështje, Shqipëria mori vendim “mbi pretendime të pabaza”.

Në Shqipëri, pranë qytetit të Durrësit, prej vitit 2016 strehohen rreth 3.000 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), pas kërkesës së parashtruar nga Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët e Iranit i konsiderojnë terroristë anëtarët e këtij grupi./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat