70% subvencionim nga qeveria kush vendos panele diellore. Ç’duhet të dini?

Shqipëria

70% subvencionim nga qeveria kush vendos panele diellore. Ç’duhet të dini?

Më: 2 tetor 2022 Në ora: 18:19
Ilustrim

Familjet që do të vendosin të përdorin panele diellore për ngrohjen e ujit, do të subvencionohen nga qeveria në masën 70% të vlerës së këtij investimi. Ministrja e Energjitikës ka lajmëruar se nga sot deri më 18 tetor është hapur thirrja për aplikim për subjektet që ofrojnë dhe instalojnë panele diellore. Në fazën e parë parashikohet që programi të mbështesë 2 mijë familje që do të duan të instalojnë panele diellore për ngrohjen e ujit.

Stimulimi i familjeve, por dhe bizneseve, për të përdorur panele diellore është pjesë e strategjisë së qeverisë për kursimin e energjisë elektrike në një kohë krizë botërore për këtë produkte. Në postimin e saj ministrja Balluku shkruan se ngrohja e ujit me energji elektrike llogaritet të përbëjë afro 20 për qind të sasisë së energjisë së konsumuar në një muaj për çdo familje.

Ndaj ajo bën thirrje për t’i kursyer këto para me programin e paneleve diellore duke ndihmuar në ruajtjen dhe ekonomizimin e energjisë.

Këtë javë qeveria vendosi të mos e aplikojë për muajin tetor vendimin për rivendosjen e fashave të pagesës në faturën e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Përmirësimi i nivelit të kaskadës së Fierzës nga reshjet, por dhe ulja e konsumit të energjisë, sipas kryeministrit dhe ministres Balluku e bëri qeverinë të shtyjë me një muaj vendimin që parashikon rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 42 Lekë për sasinë mbi konsumin mujor prej 800 kw orë energji elektrike.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat