Çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë shënuar një tjetër ulje. Nga 19 nëntori, nafta do të shitet me çmim maksimal prej rreth 2.09 euro për litër, ndërsa benzina me rreth 1.66 euro për litër.
Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimit të naftës nga 204 lekë (rreth 2.12 euro) në 201 lekë (rreth 2.09 euro) për litër.
Edhe benzina ka pësuar ulje, nga 163 lekë (rreth 1.69 euro) në 160 lekë (rreth 1.66 euro) për litër.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me shumicë për naftën është përcaktuar në 189 lekë (rreth 1.96 euro) për litër, ndërsa për benzinën në 148 lekë (rreth 1.54 euro) për litër.
Ndërkohë, çmimi i gazit për automjete mbetet 71 lekë (rreth 0.74 euro) për litër në shitjen me pakicë dhe 59 lekë (rreth 0.61 euro) për litër në shitjen me shumicë.
Për sektorin e peshkimit, Bordi ka përcaktuar çmimin e naftës në 105 lekë (rreth 1.09 euro) për litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi më 19 nëntor, në orën 14:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të rishikohen në varësi të zhvillimeve në treg.
Bordi ka paralajmëruar operatorët e shitjes me shumicë dhe pakicë se zbatimi i çmimeve të përcaktuara është i detyrueshëm.
“Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit”, thuhet në njoftim.
Vendimi i fundit vjen vetëm një ditë pas uljes së mëparshme të çmimeve, duke sjellë një lirim shtesë prej 3 lekësh (rreth 0.03 euro) për litër, si për naftën ashtu edhe për benzinën.