Presidenti Begaj emëron Genti Ibrahimin gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

Shqipëria

Presidenti Begaj emëron Genti Ibrahimin gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 17:51
Foto ilustrim

Presidenti Bajram Begaj ka emëruar gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese Gent Ibrahimin.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vlerësoi tre kandidatë për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, me mbarimin e mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo.

Nga rezultati i pikëzimit, Gent Ibrahimi është vlerësuar me 88.38 Pikë, Arta Vorpsi është vlerësuar me 88.22 Pikë dhe Arta Marku është vlerësuar me 82.66 Pikë.

Njoftimi i plotë nga Presidenca

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj ka administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim dhe Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë, e krijuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me mbarimin e mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo, shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 13413 datë 13.01.2022.

Sipas praktikës dokumentare të dërguar, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me vendimin nr. 46 datë 28.10.2022 ka vendosur miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 13.01.2022, si më poshtë:

Genti Ibrahimi  88.38 pikë
Arta Vorpsi 88.22 pikë
Arta Marku 82.66 pikë

Presidenti i Republikës, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe duke vlerësuar nevojën për plotësimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të neneve 93, 125 pika 1, 127 pika 3, 129, 149/d pika 1, të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, neneve 7, 7/a pika 4, 7/b, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me Dekretin nr. 13877, datë 7.12.2022, ka vendosur që: Genti Ibrahimi të emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat