Kontrollet në shtëpinë e Martinajt, Hoxha: Nuk e kuptoj pse u bë, i habitur që kanë gjetur aq pak armë

Shqipëria

Kontrollet në shtëpinë e Martinajt, Hoxha: Nuk e kuptoj pse u bë, i habitur që kanë gjetur aq pak armë

Më: 4 janar 2023 Në ora: 23:00
Artan Hoxha

“Gjallë apo i vrarë”, rikthehet dilema e shumë të kërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj pas kontrollit në shtëpinë e tij më 26 Dhjetor të vitit 2022, 8 muaj pasi Martinaj u shpall në kërkim si person që kishte porositur vrasjen e Endrit Dokles dhe 4 muaj nga denoncimi si i zhdukur nga familjarët.

Atje u gjetën 2 automatikë, 1 silenciator dhe rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm të fshehura në koshere bletësh. Në banesë kishte edhe 9 uniforma policie, jelekë dhe sende të tjera të uniformave blu.

Në lidhje me kontrollet në shtëpinë e Martinajt, Artan Hoxha i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan është shprehur se “nuk e kupton pse ndodhi pas kaq shumë kohësh” teksa shton se “është i habitur që janë gjetur aq pak armë”.

Hoxha bën thirrje që SPAK të merret posaçërisht me këtë rast dhe jo si vijim i disa ngjarjeve të tjera.

Blendi Fevziu: A ka një ide të qartë se çfarë po ndodh realisht me Ervis Martinajn?

Artan Hoxha: E vetmja gjë e qartë ishin ato pamjet të bastisjes së banesës së familjes Martinaj, sepse aty jetojnë 3 vëllezërit. Unë nuk e kuptoj pse u bë kontrolli këtë moment, nuk ka logjikë pse bëhet 5 muaj pasi ndodhi ngjarja. Nëse duhej të ishte bërë, duhej të ishte bërë në kushtet e flagrancës.

Fakti që ti shkon pas 5 muajsh dhe e nxjerr si trofe të atij operacioni që te kosherja e bletëve ke gjetur disa armë. Unë jam habitur që kanë gjetur aq pak armë se kemi të bëjmë me njerëz që janë vënë në një sulm të jashtëzakonshëm gjatë këtij viti. Mua m’u duk ky kontrolli më tepër si një procedurë për t’u bërë sepse nuk kishte asnjë element të ri që mund të çonte policinë të bënte atë që bëri pas një kohe kaq të gjatë.

Presim që SPAK të merret me këtë punë sepse ka burimet, duhet të merret posaçërisht. Jo në vijim të disa ngjarjeve të tjera.

Këto elementët që dolën që ka telefonat të përgjuara, nga telefonatat e përgjuara patjetër që ka informacione që nëse merren si 100 për qind të besueshme na çojnë askund.

Deri në këto momente, ata që po bëjnë hetimin e kësaj ngjarje, ende nuk e kanë ndarë se çfarë po bëjnë. Ka edhe elementë të tjerë që janë të rëndësishme për të dhënë përgjigje për hetimin.

Nga emisioni që ke bërë ti më 1 Shtator, sot në 4 Janar, jemi fiks aty tek ai i varianti i parë. Për mua, një aleancë e disa grupeve kriminale ka realizuar një ngjarje nga më të rëndësishmet e dekadës së fundit dhe i duhet dhënë zgjidhje sepse në vetvete ngjarja dhe ata që janë përfshirë janë një rrezik i madh për shoqërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat