Vrasja e Nuri Bashës, pas autorit pranga edhe bashkëpunëtorëve - Si tentuan ta ‘mbulonin’ ngjarjen si aksidentale

Shqipëria

Vrasja e Nuri Bashës, pas autorit pranga edhe bashkëpunëtorëve - Si tentuan ta ‘mbulonin’ ngjarjen si aksidentale

Më: 26 janar 2023 Në ora: 07:52
Foto ilustrim

Ka shkuar në katër numri i personave të arrestuar për vrasjen e Nuri Bashës në qershor të vitit të kaluar në Peshkopi. Policia tha se përveç Osman Torbës që ka shtyrë viktimën pas konfliktit fizik me të, në pranga janë vënë së fundi edhe tre persona të tjerë.

Ata janë përpjekur ta paraqesin ngjarjen si aksidentale, duke pretenduar se 60-vjeçari ishte rrëzuar dhe kishte goditur kokën. Pavarësisht prangosjes edhe të tre personave të tjerë, Policia nuk ka bërë me dije ende motivet e asaj ngjarjeje të rëndë të ndodhur në Peshkopi, por tashmë do të jetë prokuroria që do të hedhë dritë mbi shkaqet e vrasjes së Bashës. Tre të arrestuarit e djeshëm mësohet se u morën në pyetje në kohën kur ndodhi ngjarja por më pas u lanë të lirë.

POLICIA

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Dibrës në lidhje me vrasjen e 60-vjeçarit Nuri Basha, në qershor 2022, në Peshkopi. Të arrestuarit mësohet se janë shtetasit Eduart Torba, Ahmet Torba dhe Lavdrim Kaleci të dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer ne bashkëpunim. I akuzuar më herët për këtë ngjarje është edhe Osman Torba, i cili është vënë në pranga më parë.

Burimet zyrtare thanë se nga tërësia e hetimeve të thelluara dyshohet se më datë 26 qershor 2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, pranë lokalit të shtetasit Lavdrim Kaleci, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Osman Torba në bashkëpunim me Eduart Torbën, Ahmet Torbën dhe Lavdrim Kalecin, kanë plagosur rëndë 60-vjeçarin Nuri Basha, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën në spital, dy ditë pas ngjarjes. Për këtë ngjarje, më herët është arrestuar shtetasi Osman Torba.

Ai së bashku me personat e arrestuar së fundi, pasi u gjetën në vendin e ngjarjes nga policia, u përpoqën ta paraqesin ngjarjen si aksident, duke thënë se viktima Nuri Basha, ishte rrëzuar gjatë zbritjes nga automjeti dhe ishte dëmtuar në kokë. Por nga hetimet ka rezultuar se Basha është konfliktuar me Osman Torbën dhe personat e tjerë dhe dëmtimet fizike i janë shkaktuar prej tyre. Policia bëri të ditur se nga hetimet ka rezultuar se pas konfliktit për motive të dobëta, Osman Torba, ka shtyrë shtetasin Nuri Basha, i cili është rrëzuar në tokë, duke marrë dëmtime të rënda, si pasojë e të cilave humbi jetën në spital mbrëmjen e datës 28.06.2022.

5 DITË PAS NGJARJES 

Policia e Dibrës bëri me dije se në datën 26.06.2022, në Peshkopi në lagjen ‘Kamen’, Nuri Basha, 60 vjeç, nga Dibra, pas një sherri me Osman Torbën në një lokal, mbeti i plagosur rëndë dhe si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital. Ngjarja e rëndë u raportua në polici si aksidentale. Por policia thotë se pas një hetimi të kryer në bashkëpunim edhe me Prokurorinë ka rezultuar se Nuri Basha është plagosur rëndë me dashje nga 53- vjeçari Osman Torba.

Osman Torba dhe 3 shtetasit e tjerë të vënë nën hetim deklaruan se ngjarja ka ndodhur në mënyrë aksidentale, sepse shtetasi Nuri Basha, 60 vjeç, duke zbritur nga automjeti i parkuar i shtetasit E. T., ishte rrëzuar aksidentalisht dhe për pasojë ishte dëmtuar në kokë. Në fakt, Osman Torba ka shtyrë shtetasin Nuri Bashën, i cili është rrëzuar në tokë, duke marrë dëmtime të rënda, si pasojë e të cilave humbi jetën në spital, mbrëmjen e datës 28.06.2022. 53-vjeçari, banues në Shimçan, Dibër, u arrestua nga Policia për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen.

Ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit: E. T., 48 vjeç, L. K., 52 vjeç dhe A.T., 63 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Më pas, në bazë të dyshimeve të krijuara për rrethanat e kësaj ngjarjeje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, u bë regjistrimi i procedimit penal për veprën penale plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat