Inceneratori i Fierit, GJKKO pushon çështjen për një prej të pandehurve, avokati: Është dënuar njëherë

Shqipëria

Inceneratori i Fierit, GJKKO pushon çështjen për një prej të pandehurve, avokati: Është dënuar njëherë

Më: 24 mars 2023 Në ora: 15:59
Gjykata e Posaçme

Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen penale të inceneratorit të Fierit, ku i pandehuri kryesor deri më tani është ish-ministri Lefter Koka që akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion e pastrim parash.

Po sot për të pandehurin Robert Shabani u pushua akuza pasi është dënuar me herët për të njëjtën vepër penale, ndërsa për Enver Sheshin u pushua çështja për shkak se ai ndërroi jetë gjatë hetimeve.

Avokati Jurgen Sinani tha se Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes për pushimin e çështjes penale pasi ushtrimi ndjekjes penale ishte në kundërshtim me sa parashikon kodi penal dhe ai procedurës penale.

“Kjo pasi fakti i atribuuar është i njëjtë me atë të cilin i pandehuri Robert Shabani është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tirane për të njëjtin fakt penal dhe akuzë penale, Krijimi i Skemave Mashtruese lidhur me TVSH, parashikuar nga neni 144/a kodit penal”, tha Sinani.

Robert Shabani ka pasur një nga shoqëritë e cila ka kryer shërbime të kontraktuar për Shoqërinë koncesionare.
Ndërkohë Gjykata zbuti akuzën për ish-deputetin Alqi Bllako nga korrupsion i zyrtarëve të lartë në atë të korrupsionit të funksionarëve publikë, pasi argumentoi se sekretari i përgjithshëm i një ministrie siç ka qenë Bllako te dikasteri i Mjedisit nuk hyn në rrethin e zyrtarëve të lartë. Bllako do të përballet edhe me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Përpara drejtësisë u lehtësua pozita e supervizorit Arben Dervishaj pasi iu hoq akuza e shpërdorimit të detyrës ndërsa nuk do t akuzohet më për korrupsion të funksionarëve, por për korrupsion me sektorin privat. Dervishit iu shtua akuza e falsifikimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat