KQZ publikon rezultatet e para, Rama nis festën, Berisha kërkon auditim të rezultatit elektronik

Shqipëria

KQZ publikon rezultatet e para, Rama nis festën, Berisha kërkon auditim të rezultatit elektronik

Nga: Bota sot Më: 14 maj 2023 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 10:07 më 14.05.2023
Foto nga zgjedhjet

Zgjedhjet për kryebashkiak, Alibeaj: Shqiptarët të votojnë për të bërë ndarjen e madhe nga e shkuara

Kryetari i Komanduar i partisë Demokratike është drejtuar drejt qendrës së votimit për të votuar për kryebashkiakun e ri të Tiranës, ku në garë është edhe Roland Bejko nga kjo forcë politike.

Alibeaj nga Shkolla e Mesme Ekonomike, ka theksuar se është e rëndësishme që të gjithë shqiptarët sot të dalin dhe të marrin pjesë në votime pasi është dita dhe momenti për të bërë dallimin me të shkuarën.

“Votova për pak minuta pasi besoj se zgjedhja është e lehtë sot. Kam një mesazh për demokratët për shqiptarët e ndershëm që sot o do të duhet që të ushtrojnë detyrën e tyre të votës, në mënyrë të drejtë, për të bërë një ndarje nga politika. Sot do të duhet që të vijnë se është momenti për ndarjen e madhe nga e shkuara. Ndarja me të shkuarën bëhet me pjesëmarrjen masive të shqiptarëve. Ftoj këdo, Çdo shqiptar të ndershëm, jashtë shantazhit jashtë korrupsionit, të ushtrojë të drejtën e votës.” ka thënë ai.

Sakaq Alibeaj komentoi edhe parregullsitë në proces: “Besoj i kam bërë me dije të gjitha, i kemi treguar gjatë gjithë fushatës zgjedhore, ka një aleancë për të agresuar PD. Në situate të tilla nxjerr shpirti i vërtetë i njerëzve të lire”

Thirrjen e fundit e kishte sërish për shqiptarët që të marrin pjesë në votime.

“Sot askush s’mund të rrijë e të sodisë, ka shumë motive që njerëzit të ngrihen, për të ndryshuar atë se cfarë Shqipëria do duhet të jetë nesër.”– u shpreh Alibeaj.

Goditi me grusht kryetarin e Bashkisë së Kolonjës, në pranga 33-vjeçari

Ka rënë në pranga personi që goditi me grusht kryetarin e Bashkisë së Kolonjës, Erion Isaj.

Policia arrestoi një 33-vjeçar, ndaj të cilit rëndon akuza për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Njoftimi i policisë:

Arrestohet një 33-vjeçar në Kolonjë pasi goditi me grusht kryetarin e Bashkisë Kolonjë Erion Isai.

Procedohet në gjendje të lirë edhe një shtetas tjetër, i përfshirë në konflikt, i cili pengoi me automjetin e tij, lëvizjen e automjetit me të cilin udhëtonte kryetari i bashkisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë arrestuan në flagrancë shtetasin Esmerald Kaçolli, 33 vjeç, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, si dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, për shtetasin Xh. K., 34 vjeç, të dy banues në fshatin Qinam, Kolonjë.

Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Korçë-Ersekë”, në afërsi të fshatit Qinam, shtetasi Xh. K., duke drejtuar automjetin tip “Ford”, i ka prerë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte kryetari i bashkisë Kolonjë, shtetasi Erion Isai (njëkohësisht dhe kandidat i PS-së për zgjedhjet vendore) dhe më pas kanë debatuar me fjalë me njëri-tjetrin. Në konflikt është përfshirë edhe shtetasi Esmerald Kaçolli, i cili e ka goditur me grusht në fytyrë, kryetarin e bashkisë Kolonjë.

Të gjitha veprimet procedurale për këtë rast janë kryer në drejtimin e Prokurorisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

“Sot flasin qytetarët”, kryebashkiakja e Lushnjës voton së bashku me bashkëshortin e saj

Kryebashkiakja e Lushnjës, kandidate e Partisë Socialiste për një mandat tjetër në krye të bashkisë, ka votuar në orën 09:00 në qendrën e votimit në shkollën Fier Shegan, së bashku me bashkëshortin e saj.

“Sot është dita kur ne projektojmë Lushnjën e katër viteve të ardhshme, prandaj është thelbësore që qytetarët e Lushnjës të ushtrojnë të drejtën e votës të lirë dhe të qetë për njeriun dhe ekipin që do t’i drejtojë. Politika sot hesht.

Sot flasin qytetarët, të cilët meritojnë të drejtohen me dinjitet, integritet dhe vizion. Prandaj u bëj apel të gjithë qytetarëve të Lushnjës të shkojnë në qendrat e votimit për ta kthyer këtë të diel në një festë demokracie.

Më vjen mirë që fushata ka kaluar me shumë qytetari, deri në këto momente edhe votimi. Jam e bindur që lushnjarët këtë qytetari do ta tregojnë edhe sot, deri në numërimin e fletës së fundit të votimit”, u shpreh Sefa në deklaratën e saj për mediat.

Në njësinë administrative Fier Shegan të bashkisë Lushnjë janë 12 qendra votimi  dhe numërohen 7784 qytetarë me të drejtë votë.

Ende asnjë votë në Dimal, votuesit kthehen në shtëpi pas problemeve me pajisjet elektronike

Në Bashkinë Dimal, vijon të ketë probleme me pajisjet elektronike të identifikimit.

Në qendrën e votimit numër 3486, dy orë pas nisjes së procesit rë votimit ende nuk ka votuar asnjë qytetar.

Problemi me pajisjet është deleguar që në orët e para të mëngjesit, ku është thënë se do të ofrohet shërbim për rregullimin e pajisjeve por ende pa rezultat.

Qytetarët që janë paraqitur për të votuar janë kthyer në shtëpi për t’u rikthyer sërish më vonë.

Problemet me pajisjet elektronike dhe moti me shi janë bërë shkak i pjesëmarrjes së përgjysmuar të qytetarëve në votime në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.

Voton presidenti Bajram Begaj: Vota e qytetarit bën ndryshimin

Ka përfunduar procesin e votimit në KZAZ nr 33 presidenti i Republikës Bajram Begaj.

Gjatë deklaratës së tij për mediat, presidenti i ka bërë thirrje qytetarëve të bëjnë ndryshimin me anë të ushtrimit të së drejtës së votimit.

“Çdo shtetas i Republikës me të drejtë vote sot ka ditën që të mund të dëgjohet. Që vota e tij të dëgjohet fjala dhe pushteti i votës mund të bëje ndryshimin. Unë e kam thënë që këto votime nuk janë të partive, janë të qytetarëve dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve”, tha presidenti.

Begaj votoi në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës”.

​Zgjedhjet lokale në Shqipëri, KQZ jep të dhënat për orën e parë të votimeve

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka publikuar të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore deri në orën 08:00.

Pas raportimit të 2468 qendrave votimi nga 5211 gjithsej, pjesëmarrja është mbi 23 mijë, ose 1,29%.

Ndërkohë, në Tiranë, pjesëmarrja deri në orën 08:00 është 1,54%.

Pezullohet procesi i votimit në disa qendra të njësisë 5 në Tiranë, shkak problemet me pajisjet elektronike

Ka nisur me problematika të shumta procesi i votimit në vend, ndërsa në disa nga pikat e votimit të njësisë numër 5 në Tiranë është pezulluar procesi.

Gazetarja Doris Sallaku bën me dije se qytetarëve që janë paraqitur për të votuar në disa nga qendrat e votimit të kësaj njësie, u është thënë të largohen e të paraqiten pas dy orësh për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit.

Edhe ata pak qytetarë që janë paraqitur për shkak të motit me shi, po hasin problematika të shumta në votim.

Dhe, jo vetëm në Tiranë por edhe në qytetet e tjera të vendit.

Në Spitallë nuk ka filluar votimi sipas “Bashkë Fitojmë”, Roni Shqopa: Presion i hapur, policia nuk reagon

Shqipëria sot po voton.

Procesi po raportohet se ka probleme teknike.

Në Spitallë të Durrësit, sipas koalicionit “Bashkë Fitojmë”, asnjë qendër votimi nuk filluar procesin.

Roni Shqopa, i cili ndodhet brenda territoreve të shkollës “Naim Babameto”, tha se ky është një presion i hapur dhe drejtoria e Policisë nuk ka reaguar.

Vonesa dhe probleme me pajisjet e identifikimit, në Kavajë e Lushnjë s’ka nisur ende procesi i votimit

Në Lushnjë dhe Kavajë nuk ka nisur ende procesi i votimit, pasi nuk funksionojnë pajisjet e identifikimit elektronik. KQZ nuk ka dërguar zarfet me kodet e funksionimit të tyre.

Gjithashtu problem dhe vonesa ka edhe në disa qendra votimi në Fier. Në disa prej qendrave të votimit ende nuk ka filluar procesi i votimit, ndonëse qytetarët janë paraqitur për të votuar.

Shkak është bërë mungesa e komisionerëve të Partisë Demokratike. Në qendrën e votimit numër 302 nuk ka mbërritur ende sekretari.

Në Korçë ka shfaqur problem e pajisja e identifikimit Biometrik ‘PEI. Operatorët përgjegjës po mbajnë aktualisht kontakt me KQZ-në për riparimin e defektit. Ndërkohë për shkak të kësaj problematike nuk është ndaluar procesi, por po vazhdon manualisht me listë, gjithsesi procedura e votimit po vonohet.

Shqipëria voton sot për zgjedhjet lokale. Në orën 07:00 deri më 19:00, shqiptarët do i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashiakët e rinj.

144 kandidatë garojnë sot për kryetarë bashkie. Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë. Gjithashtu sot votohet edhe për 61 Këshillat bashkiakë, ku konkurrojnë 40 parti dhe koalicione. Ndërsa për 1603 pozicionet e anëtarit të parlamenteve vendore, janë regjistruar rreth 23 mijë e 700 kandidatë, përfshirë 10 të pavarur.

Sot zgjedhjet lokale, ku do të votojnë liderët e forcave kryesore politike në Shqipëri

Sot shqiptarët votojnë për krybashkiakët e rinj të vendit.

Mbi 3.6 milionë shqiptarë thirren sot për të ushtruar të drejtën e votës, midis tyre edhe krerët e shtetit dhe liderët e partive kryesore në vend.

Kryeministri Edi Rama pritet të votojë rreth orës 9 në qendrën e tij të votimit në Surrel.

Rama ashtu si çdo vit do të jetë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama. Po në orën 9 është parashikuar që të hedhë votën e tij i shoqëruar nga bashkëshortja edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shkruan Report Tv. Sa i përket drejtues tjetër të rëndësishme të shtetit shqiptare, kryeparlamentarja Lindita Nikolla pritet që të zgjedhë në orën 11:00 në qendrën e votimit e ngritur në shkollën “Kushtrimi Lirisë”në Njësinë Administrative nr. 1 në Tiranë.

Sali Berisha do të votojë aty ku prej vitesh ka hedhur votën e tij, në shkollën 9 Vjeçare “Kosova”, në Njësinë Bashkiake nr. 2 në kryeqytet. Aleati i tij Ilir Meta voton edhe ai si gjithmonë në qendrën e votimit në ambientet e Kopshti nr.31, në rrugën “Pjetër Bogdani” në Njësinë Bashkiake nr. 5, i shoqëruar nga bashkëshortja, deputetja Monika Kryemadhi.

Ndërkohë që kryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, do të votojë në orën 9.45 pranë QV në Shkollën e Mesme Ekonomike, Përballë me pedonalen.

Erion Veliaj pritet të votojë në orën 9 , te Parku Olimpik, Zyrat e Agjencisë Parqeve dhe Rekreacionit. Kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ Belind Këlliçi do të votojë në Shkollën “Dora d’Istria” në orën 8.30.

Ndërkohë që i fundit prej tyre, pritet të votojë kandidati i PD për kryetar bashkie në Tiranë, Roland Bejko, i cili e hedh votën në orën 11.00 pranë qendrës së votimit në shkollën “Gustav Mayer” në afërsi të rrugës Frosina Plaku.

Kandidati i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori, voton në orën 10:30 tek Liceu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat