Ambasadorja amerikane, Yuri Kim thirrje autoriteteve: Zbatoni ligjet dhe rregulloret në mënyrë të drejtë
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka reaguar për zgjedhjet vendore që po zhvillohen që nga ora 07:00.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo u ka bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.
Sakaq, ka njoftuar se zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin.
“Shpresojmë që të gjithë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet dhe rregullat që rregullojnë zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin”, thuhet ne postiM.
Problemet me identifikimin elektronik/ Minxhozi: E pajustifikueshme për KQZ
Analisti Skënder Minxhozi komentoi për ABC Neës problemet e hasura në shumë qendra votimi me pajisjen e identifikimit elektronik.
“Është një fenomen shqetësues, një suprizë e keqe e ditës, urojmë të jetë e vetmja. Është e pakuptueshme se si me 23 milionë dollarë të ketë shtetas me të drejtë vote që detyrohen të kthehen në shtëpitë e tyre se nuk bëjnë dot identifikim elektronik. Është një ngjarje fatkeqe që urojmë të mos krijuar pasoja, pasi e dimë që partitë që e njohin territorin dhe e dinë se cili votues del dhe nuk del, janë të ndjeshme. Ka një pjesë të votuesit të majtë që I frekuenton qendrat e votimit në mëngjes.
Uroj mos ketë ndodhur ndonjë sprapsje qytetarësh për këtë shkak. Është një vonesë e pajustifikueshme dhe KQZ duhet të ishte shumë më reaktive në aksionin e saj për të kufizuar dëmet”. – u shpreh Minxhozi, ndërsa komentoi edhe kritikën e kryeministrit Rama ndaj Celibashit.
“Ka qenë një marrëdhënie traumatike e kryekomisionerit me maxhorancën edhe gjatë javëve të fundit, gjatë fushatës. Është një debat në distancë që vijon prej kohësh. PS shquhet për marrëdhënie jo të mira historikisht me KQZ edhe kur të emëruarit kanë qenë të saj.
“ Rama e Veliaj duhen kuptuar se po mbrojnë të drejtën e votës në këtë rast. Logjistika ka kushtuar mjaft shtrenjtë në buxhetin e shtetit. Shifrat e pjesëmarrjes tregojnë se është e ulët dhe këtë e lexoj në dy mënyra. Një pengesë logjistike për të cilën po flasim. E dyta, një frymë të madhe për ndryshim në shkallë kombëtare nuk e tregon kjo lloj vote, pasi do të ishte një tjetër nivel votuesish, një tjetër fluks.” Një pjesëmarrje e ulët favorizon maxhorancën” -u shpreh Minxhozi” -u shpreh Minxhozi.
Zgjedhjet Lokale/ Ambasadorja e BE u bën thirrjen e fortë qytetarëve
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tone, Christinane Hohmann ka zgjedhur Elbasanin për të parë nga afër procesin për zgjedhjet lokale për zgjedhjen e kryebashkiakut në këtë bashki.
Hohmann në fjalën e saj është shprehur se deri më tani dita është e qetë dhe ka kërkuar nga qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje dhe që të ruajnë qetësinë deri në fund.
“Gjërat deri më tani kanë ecur pa problem dhe qytetarët po e ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për të zgjedhur kryebashkiakun. Urimi im për sot është sa më shumë zgjedhës të shkojnë në qendër të votimeve dhe të votojnë dhe dita të vijojë kështu pa problem dhe në paqe.
Ajo çfarë vendosin sot qytetarët është do të jenë prej tyre në këshillat bashkiak dhe kush do jenë kryetarët e bashkive në 4 vitet e ardhshme. Shfrytëzojeni të drejtën që keni për të zgjedhur.
Synimi duhet të jetë politika më e mirë që ju mendoni do të jetë për Elbasanin.
Jam shumë e lumtur që OSBE ka vendosur të sjellë vëzhgues në Shqipëri që u bënë kohë që kanë ardhur e u bë kohë që kanë ndjekur situatën ditë pas dite. Ju e dini se para pak ditësh nxorën raportin paraprak, por le të presim ditën e nesërme kur do të kemi raportin paraprak për të parë gjetjet e misionit të OSBE/ ODIHR në Shqipëri”, ka thënë ajo
Voton Veliaj, thirrje qytetarëve: Mos u ndikoni nga avaria e sistemit elektronik, keni në dorë fatin e qytetit
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është paraqitur për të votuar paraditen e sotme së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.
Ai ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të votojnë e të mos ndikohen nga avaria e sistemit elektronik që ndodhi në nisje të procesit.
“Faleminderit të gjithëve për kontributin e për shërbimit jeni në krye të detyrës gjithmonë. Ka pasur avari nuk do të thoja dramatike, më vjen mirë që më në fund ka një vendimmarrje, duhet të prevalojë e drejta për të votuar. I bëj ftesa qytetarëve të votojnë e atyre që janë larguar nga lemza e vogël e mëngjesit të rikthehen. Janë fatet e qytetit në lojë, secili duhet të dëgjojë e vendimmarrja të udhëheqë.
I uroj edhe pesë kandidatëve të tjera shëndet të plotë e sukës. Ka qenë një ndër fushatat e qeta të Tiranë, ndaj dhe lusim të gjithë që janë në krye të këtij procesi të vazhdojnë. Është e rëndësishme që Tirana të fitojë jo vetëm kandidatët. Për iranianët të flasë ai kitaristi. I bëj ftesë të gjithë familjeve shqiptarë të votojnë, aparaturat nuk janë kurrë perfekt, tani është zhbllokuar çdo ngërç që kemi pasur.”
Bardh Spahia voton: Do i rikthejmë Shkodrës shkëlqimin, larg krimit e korrupsionit!
Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia ka votuar në qendrën e votimit.
Spahia, i cili rikandidon për postin, i ka bërë thirrje qytetarëve të vërshojnë për në qendrat e votimit.
Ai u shpreh se kjo është një ditë ku qytetarët me votën e tyre do i rikthejnë shkëlqimin Shkodrës, larg krimit e korrupsionit.
“I bëj thirrje të gjithë bashkëqytetareve të vërshojnë drejt qendrave të votimit. Është një ditë ku qytetarët tanë nëpërmjet votës së tyre ti rikthejnë shkëlqimit Shkodrës së artit dhe kulturës, larg krimit e korrupsionit. Të ushtrojmë të drejtën tonë nëpërmjet votës. I bëj thirrje strukturave që kanë për detyrën të garantojnë qetësinë dhe lirinë e votimit për qytetarët.
Qytetarët do flasin me votën e tyre tek kutia e votimit. Kemi pasur një vonesë për fillimin e votimeve, por shpresoj të rikuperohet”, tha Spahia.
“Goditi me grusht anëtarin e komisionit në Fushë-Krujë”, policia del me njoftimin zyrtar
Policia jep informacion zyrtar për incidentin në Fushë-Krujë, teksa ka shpallur në kërkim një qytetar.
Rreth orës 10:10, Komisioni i Qendrës së Votimit 1302-1, KZAZ Nr. 20, Fushë-Krujë, me vendimin numër 1, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi në këtë qendër votimi një shtetas (votues) ishte konfliktuar me një anëtar të Komisionit.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pasi kanë marrë njoftim, kanë shkuar në Qendrën e Votimit 1302-1, ku ka rezultuar se shtetasi E. K., i cili kishte shkuar për të votuar në këtë Qendër, kishte debatuar me një anëtar të Komisionit të Qendrës së Votimit, shtetasin I. H., dhe më pas e kishte goditur atë me grusht, për radhën e votimit.
Shtetasi E. K. është shpallur në kërkim dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e tij.
Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas normalizimit të situatës, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Voton Edi Rama: Uroj që situata e krijuar nga KQZ-ja të mos ketë ndikuar në dekurajimin e votuesve
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka votuar në zgjedhjet që po mbahen në Shqipëri për kryetarët e bashkive.
Pas votimit, ai ka bërë një prononcim para gazetarëve, ku ka uruar që situata e krijuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos ketë ndikuar në dekurajimin e votuesve.
“Tani është momenti i gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Uroj që situata e krijuar nga KQZ-ja të mos ketë ndikuar në dekurajimin atyre që kanë shkuar të votojnë qysh në fillim në ato zona ku nuk punuan aparaturat”.
“Uroj të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar të rikthehen në mënyrë që vullneti të shprehet i plotë për të gjithë kandidatët”.
Berisha: Kjo është pranvera e ndryshimit
Ish-kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votimit në shkollën “Kosova” në Tiranë. Pasi hasi probleme me identifikimin elektronik, Berisha tha se kjo është pranvera e ndryshimit për Shqipërinë.
Berisha ftoi të gjithë qytetarët që të dalin sa më shumë në votime, duke thënë se të mos dëgjojnë asnjë që iu thotë të kundërtën.
Berisha: Thirrje për të gjithë qytetarët shqiptarë që të dalin në votime
“Së pari, një thirrje nga zemra për të gjithë qytetarët shqiptarë, të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore. Të gjithë ata të cilët u ftuan nga armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve, që të rrinë në shtëpi, të mos harrojnë se ky është një nxitje, një apel i madh që ata të marrin pjesë sot në votime. Ai që ka frikë votën, ai ka frikë lirinë dhe është armik i saj”, deklaroi Berisha.
Berisha deklaroi prej nesër Shqipëria arkivon monizimin e shëmtuar dhe se kjo shënon fitore për demokracinë shqiptare.
“Së dyti, ftoj të gjithë zgjedhësit shqiptarë, të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim, e bën gabimin edhe më të madh. Ndaj dhe le t’u prijë mençuria e tyre, në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes së tyre, vendit të tyre. Kjo është pranvera e ndryshimit! Nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar dhe kjo është një ditë fitoreje për demokracinë shqiptare”, tha Berisha.
Kujtojmë se në këto zgjedhje opozita shqiptare pritet të kthehet në institucionet e pushtetit vendor pas katër vjet mungese për shkak të bojkotit në zgjedhjet e vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe socialistët drejtuan gjithë bashkitë e vendit, përveç Shkodrës.
Sërish tensione/ Ofendoi 4 persona, procedohet kandidati i “Bashkë fitojmë” për Kuçovën
Procedohet penalisht në gjendje te lirë kandidati i “Bashkë Fitojmë” në bashkinë e Kuçovës. Lefter Maliqi do ndiqet penalisht pasi ka fyer 4 persona, punonjës në një firmë ndërtimi në Kuçovë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi Sh. Sh., se shtetasit L. M. dhe M. H. e kishin fyer me fjalë, i kanë shoqëruar në Komisariat, këta dy shtetas, si dhe kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, në lidhje me këtë rast.
Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 51 vjeç, banues në Tiranë (kandidat për kryetar të bashkisë Kuçovë) dhe M. H., 48 vjeç, banues në Kuçovë (mbështetës i kandidatit).
Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e një lokali në qytetin e Kuçovës, dyshohet se këta shtetas kanë fyer me fjalë dhe kanë shpifur për shtetasit Sh. Sh., 59 vjeç, A. Sh., 39 vjeç, A. K., 44 vjeç dhe A. K., 57 vjeç, të katërt punonjës të një firme ndërtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Fyerja” dhe “Shpifja”, të kryera në bashkëpunim”,-thuhet në njoftimin e policisë.
Këlliçi: Qytetarët kanë në dorë fatet e Tiranës
Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka votuar në shkollën “Dora d’Istria” në orën 08:30.
I shoqëruar nga familja e tij, ai ftoi të gjithë qytetarët që të dalin dhe të votojnë masivisht.
Këlliçi: Qytetarët kanë në dorë fatet e këtij qyteti
“Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të shkojnë sot në qendrat e tyre të votimit për të kryer detyrën e tyre si qytetar për të votuar. Ftoj të gjithë të rinjtë, të gjithë ata mijëra e mijëra qytetarë që në këto 5 muaj kam takuar duke shtrënguar duart, duke i parë në sy dhe duke folur për ndryshimin. Sot është dita e madhe, sot është 14 maji që kemi pritur aq shumë të gjithë, është dita kur kemi në dorë fatet e këtij qyteti dhe ndryshimin e keni vetë në duar”, tha Këlliçi.
Këlliçi, duke iu drejtuar të rinjve, tha se largimi nuk është zgjidhje prandaj duhet të dalin dhe të votojnë për të rikthyer shpresën.
Deri në momentin kur votoi, Këllici tha se nuk kanë hasur në parregullsi përpos disa problemeve teknike.
Këlliçi: Procesi është duke shkuar normalisht
“Deri tani përpos disa gjërave të vogla teknike, procesi është duke shkuar normalisht. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve dilni votoni masivisht. Sot është një ditë feste. Sot është dita e dita e ndryshimit, dilni dhe votoni”, tha ai.
Beteja kryesore e këtyre zgjedhjeve padyshim do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku garojnë gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërsa PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon.