Rama i përgjigjet Berishës: U votuam edhe nga ata që deri dje mbështesnin PD

Shqipëria

Rama i përgjigjet Berishës: U votuam edhe nga ata që deri dje mbështesnin PD

Më: 28 maj 2023 Në ora: 15:00
Edi Rama

Akuzave të ish-kryeministrit, Sali Berisha, se vota e 14 majit u vodh, kryesocialisti Edi Rama iu përgjigj nga Gjirokastra. Ai tha se Partia Socialiste u votëbesua për katër vitet e ardhshme në krye të qeverisjes vendore edhe nga ata, që deri dje mbështesnin Partinë Demokratike.

Të vetëve u tha se rezultati i zgjedhjeve nuk duhet të lexohet si një votë kënaqësie, por të përkthehet në punë dhe përgatitje për garën e ardhshme, parlamentareve të 2025-ës.

Nuk është një votë kënaqësie, nuk kanë votuar për ne kaq masivisht se janë të kënaqur… këtë duhet ta kuptojmë shumë mirë nëse duam të mos fluturojmë siç thotë Tërmeti, ‘të mos fluturojmë me barishte nga mbrapa’. Duhet ta kuptojmë që njerëzit janë të pakënaqur, kjo është e vërteta sepse ka shumë gjëra për të mos qenë të kënaqur. Njerëzit kanë votuar sepse pavarësisht se janë të pakënaqur kanë akoma pritshmëri të lartë ndaj nesh dhe besojnë fort që vetëm ne mund t’i bëjmë gjërat që ata presin. Kjo nuk është arsye të mbushemi me vetëkënaqësi dhe të ndihemi sikur kemi lumturuar njerëzit. Në duhet të ndihemi të sfiduar se na është hedhur një dorashkë nga një shumicë që po të shikoni votat, është shumica më e madhe që ka votuar PS”, tha ai.

Nga gjashtë kryebashkiakët socialistë të qarkut Gjirokastër, Edi Rama veçoi atë të Dropullit të banuar nga minoriteti grek. Mesazhi ishte ky:

Grekët janë njerëz të mençur, duan të pijnë dy nëna dhe mirë e kanë. Kush thotë që minoriteti nuk trajtohet mirë nuk di gjë farë nga realiteti, jo vetëm që trajtohet mirë por pi dy nëna.’- tha Rama.

Para takimit me strukturat e Partisë Socialiste të Gjirokastrës, kryeministri vizitoi Lazaratin. Ai ishte në qendrën e re të grumbullimit dhe përpunimit të bimëve mjekësore. Që prej shkatërrimit të parcelave me kanabis, papunësia është një problem kryesor. Investimi zviceriano-austriak i pagëzuar me emrin “Canabis Alternative”, sipas drejtuesve vendorë, pritet të ndikojë në hapjen e vendeve të punës dhe rimëkëmbjen e ekonomisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat