U arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, Fredi Beleri kërkon të shpallë të paligjshme përgjimet

Shqipëria

U arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, Fredi Beleri kërkon të shpallë të paligjshme përgjimet

Më: 11 qershor 2023 Në ora: 20:26
Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri

Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit me ankim, kundër vendimit të Gjykatës së Vlorës që lejoi përgjimin e tij në datën 10 Maj.

Nëpërmjet avokatëve të tij, Beleri kërkon të shpallë të paligjshme përgjimet audio dhe video në vende private, të bëra me urdhër të Prokurorisë dhe që u konsideruan të ligjshme më pas edhe nga Gjykata e Vlorës.

Mbrojtësit e Fredi Belerit, thonë se vendimi që angazhoi grupet operacionale për përgjimin e tij nuk ka datë dhe orë të fillimit dhe mbarimit të veprimit, ashtu sikurse as kërkesa për vleftësimin e tyre, duke e bërë atë të paligjshëm.

Megjithatë, këto përgjime siguruan provat kryesore kundër kandidatit fitues në Bashkinë e Himarës që tregonin përfshirjen e tij në shit-blerjen e votave për zgjedhjet lokale të 14 majit dhe që e lanë atë në qeli pa afat.

Gjykata e Posaçme e Apelit do e shqyrtojë këtë kërkesë në datën 16 Qershor në Dhomë Këshillimi, teksa gjyqtari i cili do ta vlerësojë atë është Florjan Kalaja.

SPAK thotë se të dhënat e siguruara nga hetimet e Prokurorisë së Vlorës, tregojnë 3 biseda të një infiltrurari me Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin, ku flitet për sigurimin e votave për zgjedhjet e 14 Majit.

Në një nga bisedat e regjistruara, Kokaveshi dëgjohet të thotë se 4 nga 12 emrat e sjella nga bashkëpunëtori i kishin kapur më parë dhe i dha atij 40 mijë Lekë vetem për 8 vota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat