Të hënën Samiti i Berlinit në Tiranë/ Masat që do të merren dhe rrugët që do të bllokohen, edhe për këmbësorët

Shqipëria

Të hënën Samiti i Berlinit në Tiranë/ Masat që do të merren dhe rrugët që do të bllokohen, edhe për këmbësorët

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 10:48
Policia e shtetit

Nesër në Tiranë do të zhvillohet Procesi i Samitit të Berlinit. 

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Gardën e Republikës, kanë prezantuar masat e ndërmarra për garantimin e rendit publik.

Për shkak se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndodhet për një vizitë pune në SHBA, mbledhjen e mbajti Sokol Bizhga,  zëvendësdrejtori.

Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas Samitit të Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Tiranë, më datë 16 tetor 2022.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht:

-Garantimi i rendit publik, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit;

-Organizimi i shërbimeve policore, për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit;

-Sigurimi i delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë;

-Eskortimi i delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës;

-Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hanin e Hotit, Shkodër;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Ky hartim masash është bërë në bashkëpunim me ekspertë të sigurisë të vendeve të BE-së.

Lëvizja e qytetarëve të Tiranës, më datë 16 tetor, do të afektohet drejtpërdrejt nga ky aktivitet me përmasa ndërkombëtare. Për garantimin e sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;

-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;

-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;

-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;

-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

-Rruga “Ukraina e lirë”.

Në këto akse rrugore, duke filluar ora 20:00 e datës 15 tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.

Të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë, ditën e hënë do të jenë të mbyllura.

Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve.

Theksojmë se kufizimet e mësipërme janë në funksion të perimetrit të sigurisë për Samitin, ndaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore, të normuara nga Policia e Shtetit.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve, më datë 16 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë në akset rrugore:

– Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;

– Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve);

– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;

– E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;

– Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Për të lehtësuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete, gjatë kësaj dite, si dhe që të përdorin akse rrugore dhe drejtime të tjera lëvizjeje.

Ky kontribut i qytetarëve do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar për garantimin e masave të sigurisë gjatë këtij Samiti.

Bizhga gjeti rasti të falenderojë policinë edhe për angazhimin e tyre në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, gjatë ndeshjes Shqipëri-Çeki, por gjithashtu edhe tifozët, të cilët nuk shkaktuan incidente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat