Deputetët e PD përplasen me Gardën te hyrja e Kryesisë, Berisha u flet pas kangjellave të Kuvendit

Shqipëria

Deputetët e PD përplasen me Gardën te hyrja e Kryesisë, Berisha u flet pas kangjellave të Kuvendit

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 12:20
Foto nga vendi i ngjarjes

Sërish përplasje mes deputetëve të opozitës dhe punonjësve të Gardës. Këtë herë, situata është zhvendosur nga salla e Kuvendit tek hyrja e Kryesisë. Garda nuk ka lejuar deputetët e përjashtuar për 10 ditë nga seanca plenare të futen brenda duke mbyllur derën kryesore.

Bëhet fjalë për deputetët Ervin Salianji, Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Saimir Korreshi, Petrit Doda, Edmond Spaho dhe Lefter Gështenja të cilët janë përjashtuar nga seanca parlamentare pas incidenteve të njëpasnjëshme në sallën e Kuvendit.

Pjesë nga përplasja

Bledion Nallbati: Ç’është kjo mor, keni turp a s’keni turp?!

Gazment Bardhi: Më sillni vendimin e shkruar pse jemi përjashtuar.

Ervin Salianji: Ore po në Shqipëri lejohet të rrimë? Na bëni një listë, po kafe na lejohet të pimë ne?! Të vimë rrotull nëpër qytet?

Gazment Bardhi: Byroja nuk është mbledhur, ja ku janë anëtarët…

Ervin Salianji: Po a na lejohet të pimë kafe, të dalim naj xhiro, të marrim ajër?!

Gazment Bardhi-punonjësve të Gardës: Kush ta ka dhënë urdhrin zotëri?

Ervin Salianji: Ore pasi vodhët gjithë Shqipërinë, po vidhni dhe godinat. Bëni ndonjë pallat këtu te Kryesia e Kuvendit.

Flamur Noka: Nxirrni vendimin! Nxirrni vendimin!

Albana Vokshi: Një shkresë po kërkojmë, ça po bëni?!

Ndërkohë që deputetët kërkojnë shkresën zyrtare të përjashtimit të tyre, kryedemokrati Sali Berisha flet nga brenda rrethimit të Kuvendit. Ai e quan këtë skenë një akt të turpshëm të regjimit të Edi Ramës.

“Ky është një akt i shëmtuar, i pashembullt, tregon tmerrin e Edi Ramës dhe organizatës kriminale. Deputetët nuk mund të ndalohen në zyrat e tyre, nuk mund të ndalohen të mblidhen me grupin e tyre“, u shpreh Berisha.

Ervin Salianji: Edhe kjo s’kishte ndodh!! Ore janë idiotë…

Gazment Bardhi: Do hyjnë deputetët që lejohen. Ore zotëri hap derën të hyjë deputeti, nuk është i ndaluar.

Sali Berisha: Ju bëj thirrje shqiptarëve që ndjekin këtë skenë, të kuptojnë se cili është regjimi i Ramës sot.

Bledion Nallbati: Hape derën!

Ervin Salianji: Kanë vënë rregull lejohet të hyjnë vetëm ata që kanë vjedh, vetëm hajdutët. Këta e kanë me Parlamentin, se kanë me doktorin. Doktori aty është, kot i paskan llafe këto…

Dashnor Sula: Hape burgun!

Ervin Salianji: Po personale është kjo?!

Kujtojmë se Sekretariati për Procedurën, Votimin dhe Etikën vendosi të përjashtojë për 10 ditë 6 deputetë demokratë pas seancës së 31 Tetorit e më pas i njëjti vendim u mor për 3 deputetë të tjerë pas incidenteve në seancën parlamentare të 2 Nëntorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat