25 vjet nga bombardimet e NATO-S në Serbi, Basha: Mirënjohje aleatëve për lirinë e Kosovës

Shqipëria

25 vjet nga bombardimet e NATO-S në Serbi, Basha: Mirënjohje aleatëve për lirinë e Kosovës

Më: 24 mars 2024 Në ora: 19:43
Foto ilustrim

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur mirënjohje ndaj SHBA, Britanisë së Madhe dhe aleatëve në NATO, për bombardimin e forcave serbe 25 vite më parë në Kosovë.

Sot, në 25-vjetorin e kësaj ngjarjeje, Basha është shprehur se Serbia, e cila tentoi genocidin në Kosovë, mori mësimin më të mirë, duke theksuar se ajo ndërhyrje ishte opsioni i fundit për të ndalur masakrat. Mbi civilët e pafajshëm.

Ndër të tjera, Basha shprehet se tashmë Kosova dhe shqiptarët kudo ku janë, bashkë me aleatët dhe partnerët tanë, duhet të mos kursejmë asgjë për të ndërtuar të ardhmen.

Reagimi i plotë:

Sonte njëzet e pesë vjet më parë, NATO nisi fushatën e bombardimeve për të ndalur genocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë. Pas shterimit të çdo mundësie diplomatike, për t’i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik të regjimit të Millosheviçit, ndërhyrja ushtarake ishte opsioni i fundit për të ndalur masakrat mbi civilët e pafajshëm.

Sot kujtojmë me dhimbje dhjetëra mijë civilë të pafajshëm, përfshirë mijëra fëmijë, që u vranë, mijëra të tjerë që ende sot nuk kanë varr, viktima të dhunës çnjerëzore të regjimit vrastar të Millosheviçit.

Çfarë ndodhi 25 vjet më parë qëndron para çdokujt sot si mësim se historia nuk mund të rishkruhet. Nostalgjikët e Millosheviçit vazhdojnë të përkundin ambicie të së shkuarës siç tregoi sulmi terrorist i 24 shtatorit në Bajnskë. Por fatmirësisht sot në Kosovë është NATO, janë miqtë dhe partnerët jetikë të shqiptarëve.

Mirënjohje përjetë SHBA, Britanisë së Madhe dhe aleatëve tanë në NATO për përkrahjen e paçmim për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Me vetëdije për të shkuarën, Kosova dhe shqiptarët kudo ku janë, bashkë me aleatët dhe partnerët tanë me në krye SHBA, duhet të mos kursejmë asgjë për të ndërtuar të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat