Opozita ka zgjedhur Petro Gjikurian si kandidat për zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë së Himarës, bëjnë të ditur burime për ABC News. Ai do të garojë përballë Vangjel Tavos, kandidatin socialist.
Gjatë dy ditëve të fundit, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule ka pasur takime me sekretarin e Përgjithshëm, Flamur Noka për emrin e kandidatit. Opozita do të shkojë në koalicion në këto zgjedhje, ndërsa PBDNj-së i është lënë hapësira për emrin. Petro Gjikuria pritet të prezantohet si kandidat të enjten.
Kujtojmë që presidenti Bajram Begaj caktoi 4 Gushtin si datën e zgjedhjeve të reja në Himarë të premten, pasi KQZ i hoqi mandatin si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës Fredi Belerit, i cili ndodhet në burg.
Aktualisht bashkia e Himarës drejtohet nga kryetari i Komanduar Arqile Bollano, pas dorëheqjes së Blerina Balës në 5 Qershor. Më herët në detyrë ka qenë Jorgo Goro, i cili u arrestua me urdhër të SPAK në 23 Mars.