Protesta e opozitës/ Xhixho: Nuk do ketë fjalime, ja skenari që do ndjekim

Shqipëria

Protesta e opozitës/ Xhixho: Nuk do ketë fjalime, ja skenari që do ndjekim

Më: 6 tetor 2024 Në ora: 12:30
Erisa Xhixho

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho thotë se rasti i Ervin Salianjit, por edhe Olta Xhaçkës, janë ndër arsyet kryesore të protestës së opozitës, e cila do të mbahet më 7 tetor.

Në një intervistë për “Edicioni i Mesditës” në ABC News, Xhixho u shpreh se qytetarët kanë shumë arsye për të protestuar, sipas saj, duke nisur nga rritja e çmimeve dhe rrënimi ekonomik që po pëson vendi.

Xhixho shtoi se në protestë nuk do të ketë fjalime, por grumbullim përpara godinës së Kryeministrisë, e më pas protestuesit do të shpërndahen në pika kyçe të Tiranës.

Ndër të tjera, nënkryetarja e PL deklaroi se qytetarët nuk kanë më nevojë për fjalë dhe se ata kërkojnë protesta të vazhdueshme dhe të forta.

“Së pari, mendoj që shqiptarët kanë shumë arsye për të protestuar. Kemi disa ngjarje shumë të rënda që kanë ndodhur kohët e fundit. Kemi krizë në Kuvend, kemi vendim të Gjykatës Kushtetuese të rrëzuar, e cila kërkon shqyrtimin e rastit me themel për Xhaçkën. Me arrogancën e kartonit në mënyrë të koordinuar. Kemi puç kushtetues, kemi rënie të reformës në drejtësi. Paralelisht me këtë ngjarje ndodhi edhe dënimi me burg i kolegut dhe deputetit Salianji, dënohet pa ligj, kallëzimi i rremë në publik nuk ekziston në kodin penal. Ka bërë denoncim publik nga foltorja e PD. Ky është alarm shumë i madh për shoqërinë shqiptare. Salianji po vuan dënimin sepse ka bërë denoncim publik. Po analizoj ngjarjet që kanë ndodhur. Protestat e opozitës do të vazhdojnë, por kjo e 7 tetorit ka moment të rëndësishëm, ka rënë shteti ligjor, gjykata përdoret si instrument i politikanëve. Kjo është shumë e rëndë. Kur i ndodh një deputeti, imagjinoni çfarë i ndodh një qytetari të thjeshtë. Shqiptarët kanë dhe arsye të tjera, rritje e çmimeve, tallja me pensionistët, indeksimi 4.1 përqind. Pensioni mesatar në Shqipëri është 160 euro në muaj.

“Nuk do ketë fjalime, do ketë grumbullim para Kryeministrisë. Më pas, protestusit do shpërndahen në pika kyçe të Tiranës. Skenarin në detaje nuk mund ta themi. Mendoj që qytetarët nuk kanë nevojë më për fjalë, janë duke e vuajtur në kurriz keqqeverisjen, rrënimin e tyre ekonomik, dëshirën për t’u larguar nga vendi. Ndaj është menduar të kemi një grumbullim. Protesta e 7 tetorit është shumë e rëndësishme, mesazhi i fortë që do të japin qytetarët. A janë vërtet të lirë qytetarët për të vendosur? Ne e kemi mbështetur kërkesën për qeverinë teknike. Jemi në një moment kur nuk mund të zhvillojmë zgjedhje të lira në Shqipëri. Ne jemi në koordinim, jemi pjesë e një fronti opozitar. Mendoj se kjo është alternativa më e mirë që i shërben Shqipërisë. Kërkesat e qytetarëve janë për protesta të vazhdueshme”, theksoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat