Besimtarë ortodoksë të qytetit të Gjirokastrës kanë kremtuar të Premten e Zezë, e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.
Gjatë pasdites së të premtes, nga Katedralja "Ngjallja e Krishtit" është organizuar riti i kalimit nën epitaf dhe varrimi i Krishtit, pjesë e të cilës janë bërë qindra qytetarë gjirokastritë.
Me një marshim të heshtur, qindra persona kanë bërë parakalimin tradicional ndërsa urimet nuk kanë munguar nga fëmijë e të rritur.
Procesionin e ka udhëhequr At Joani, i cili shprehu disa mesazhe dhe lutje për një jetë me sa më shumë paqe e harmoni mes njerëzve
E premtja para Pashkës, e cila njihet si e Premtja e Madhe, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë, duke ecur drejt vendit ku u kryqëzua, për t’u ringjallur të dielën e Pashkës.