Fatmir Xhafaj, i cili garon për mandatin e deputetit në listën e hapur të Partisë Socialiste për Tiranën, shprehet se ka një tension në garën brenda socialistëve, por uron që kjo të mos çojë në thyerje. Në këtë kuadër, socialisti i cili në 2021 arriti të thyejë herësin dhe të marrë mandatin e deputetit, duket se paralajmëron tensionet që mund të krijohen pas zgjedhjeve në Partinë Socialiste, nëse këto tensione do të arrijnë pikën e vlimit.
Në emisionin ‘Kjo Javë’, Xhafaj thekson se gara në listën e hapur ka dy tablo: “lufta” brenda partive, për të siguruar vota secili kandidat, si dhe përballja me kundërshtarin politik.
Ai këshilloi kandidatët e tjerë kur tha se “duhet të kujdesemi që i gjithë ky konkurrim të mos çojë në thyerje të kohezionit dhe etikës midis nesh”.
Qëndrojmë pak brenda familjes politike. Por përveçse kundërshtarit politik këtë herë keni edhe kolegë socialistë që garojnë, a ka tension?
Fatmir Xhafaj: Të them që nuk ka tension do të ishte e gabuar. Vetë gara ka brenda tensionin sepse është konkurrim, kjo është normale. Kjo është një eksperiencë e parë por besoj se do të duhet që në të ardhmen të ketë disa rregulla të qarta për konkurrimin e brendshëm sepse nëse këto tensione shkojnë në një pikë të lartë vlimi këto mund të kenë pasoja në të ardhmen për kohezionin e brendshëm të forcës politike. Duke e konsideruar një gjë shumë pozitive konkurrimin brenda nesh dhe marrëdhënien që krijohet me qytetarët në saj të këtij konkurrimi duke i konsideruar këto vlera të dobishme, duhet të kujdesemi që i gjithë ky konkurrim të mos çojë në thyerje të kohezionit dhe etikës të një gare konkurruese midis nesh.
Unë besoj se nëse do të kishte gjëra të tilla do të ishin jo shumë të dobishme. Ka edhe një gjë tjetër, i seleksionon edhe vetë familja politike, socialistët nuk i pëlqejnë tensionet e brendshme, nuk e kanë në natyrën e tyre konfliktin e brendshëm dhe nuk i pëlqejnë njerëzit konfliktuale që duan t’ju imponohen në bindjen e tyre dhe në votën e tyre. Kandidatët që do të tentojnë të bëjnë një gjë të tillë nuk besoj se do të jenë të suksesshëm.