LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Shqipëria

LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Më: 11 maj 2025 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 22:02 më 17.05.2025
Kuti të votimit

Kush u refuzua nga diaspora dhe emrat që kanë marrë më shumë mbështetje

Vota e diasporës është mbyllur në shumicën e qarqeve dhe po numërohet vota preferenciale. Në Tiranë, janë numëruar 3608 nga 42402 zarfe total.

Ajo që bie në sy është se figura si Ilir Meta, Lulzim Basha, Dashamir Shehi, apo Enkelejd Alibeaj kanë marrë vota të papërfillshme. Ndërkohë ata janë më të vlerësuar janë Braçe, Gonxhe dhe Majko nga PS, ndërsa nga PD Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku.

Emrat me më shumë vota nga diaspora

-Erion Braçe, 282 vota

-Blendi Gonxhja, 206 vota

-Pandeli Majko, 192 vota

-Ilir Alimehmeti, 181 vota

-Jorida Tabaku, 124 vota

Emrat me më pak vota

-Ilir Metaj, 28 vota

-Lulzim Basha, 9 vota

-Dashamir Shehi, 3 vota

-Enkelejd Alibeaj, 1 vota

Përfundon numërimi i votat të diasporës për Fierin, PS ruan mandatin e 12-të, ja kush shkon në Kuvend nga ky qark

Ka përfunduar numërimi i votave të diasporës për qarkun e Fierin. Partia Socialiste edhe pas numërimit të votave të diasporës ka ruajtur mandatin e 12-të.

Nga qarku i Fierit, PS fut në Kuvend 5 deputetë nga lista e mbyllur, Belinda Balluku, Petrit Malaj, Kiduina Zaka, Erjo Mile dhe Ana Nako.

Nga lista e hapur futen 7 deputetë. Në Kuvend futen Ceno Klosi, Klevis Jahaj, Asfloral Haxhiu, Antoneta Dhima, Elton Korreshi, Zegjine Çaushi dhe Dhimitër Kruti. 

PD-ASHM në këtë qark merr 4 deputetë nga lista e mbyllur: Gazment Bardhi, Luan Baçi, Brunilda Haxhiu dhe Saimir Korreshin.

Numërimi i zarfeve nga Greqia/ Fillon procesi për votën preferenciale për 4 qarqe

Vijon numërimi i votave nga jashtë për zgjedhjet e 11 majit.

Komisioni Qendrori Zgjedhjeve bën me dije se ka përfunduar numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit nga jashtë (Greqi) për subjektet zgjedhore në qarqet:

1. Kukës

2. Durrës

3. Tiranë

4. Shkodër

Vijon procesi i numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit nga jashtë (Greqi) për subjektet zgjedhore në qarqet:

1. Korçë

2. Gjirokastër

3. Lezhë

4. Fier

5. Dibër

6. Vlorë

7. Elbasan

8. Berat

KQZ njofton se ka filluar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë për kandidatët e votimit preferencial (në listë “të hapur”) në qarqet:

1. Durrës

2. Tiranë

3. Kukës

4. Shkodër

Vota e diasporës për qarkun e Shkodrës/ Numërohen 400 vota më shumë se numri i votuesve, fletët e votimit shpërndahen në tokë

Numërimi i votave të diasporës po vijon pa u ndërprerë ndërsa denoncime të shumta për manipulime votash janë publikuar nga opozita ose janë konstatuar nga mediat.

Video ku po numërohen votat e diasporës për qarkun e Shkodrës janë parë shumë fleta votimi në tokë dhe jo në tavolina si zakonisht.

Mësohet se këto vota ose kanë dalë tepër ose nuk kanë asnjë lloj vlere.

Në faqen të KQZ për këtë qark rezulton se janë numëruar mbi 400 zarfe më shumë sesa zarfe të ardhura nga diaspora. 

Në tabelën më poshtë, që i referohet statistikave për Qarkun e Shkodrës, KQZ thotë kanë mbërritur 13533 zarfe nga diaspora, por në krah të kësaj shifre, paraqitet një e dhënë tjetër që thotë se janë numëruar për këtë qark 13959 vota.

Nëntë kuti votimi nga Diaspora të parregullta, Celibashi: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B! Numërimi mund të mbyllet këtë javë

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashim, në konferencën për mediat nga Parku Olimpik ku po numërohen votat e Diasporës thotë se 9 kuti me zarfe nga jashtë vendit janë të parregullta.

“Ka dokumentacion që ka ardhur nga jashtë, është i parregullt. Është në mungesë të zarfit. Mungojnë zarfat B që ne kemi dërguar, sepse një pjesë e votuesve kanë dërguar vetëm zarfin A. 2596 raste të adm në kuti, kur 99.99% lidhen me mungesën e zarfit B”.

Kjo shpjegon se përse aktualisht në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i zarfeve të numëruar rezulton më i madh se shifra totale e zarfeve.

Në disa raste, emigrantët nuk e kanë futur zarfin A në zarfin B, por e kanë vendosur direkt në zarfin e DHL-së. Për këto raste, KQZ po mban procesverbale manualisht. Në fund, të dhënat do të reflektohen në sistem.

11 maji, KQZ bën bilancin: Votuan 1.4 milionë shqiptarë dhe mbi 196 mijë emigrantë; sa fletë rezultuan të pavlefshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë një bilanc paraprak nga të dhënat e transmetuara nga operatorët në KQZ, për votimin brenda dhe jashtë vendit.

Sipas KQZ, brenda vendit kanë votuar 1.462.138 shqiptarë nga 3.467.962 që është numri total i zgjedhësve në listë.

Nga ky votim brenda vendit KQZ konstaton se kanë rezultuar të vlefshme 1.406.514 vota, ndërsa të pavlefshme 55.514.

Po ashtu, brenda vendit janë shpallur të parregullta nga KZAZ 12 kuti, të panumëruara.

Ndërkohë, sa i përket votimit nga diaspora, raportohet se kanë votuar 194.889, bazuar në zarfet e mbartura nga shërbimi postar.

Nga zarfet e ardhura nga shqiptarë nëpër botë, kanë rezultuar nga numërimi i deri tanishëm 1532 vota të pavlefshme.

“Të dhënat paraprake të transmetuara nga operatorët në sistemin e informacionit në KQZ, për votimin brenda vendit:

3.467.962 – Numri total i zgjedhësve në listë;

1.462.138 – Numri i votuesve në qendrat e votimit të numëruara;

1.406.514 – Vota të vlefshme;

55.514 – Vota të pavlefshme;

Shënim: 12 kuti votimi janë shpallur të parregullta nga KZAZ-të (të panumëruara).

Votimi nga jashtë:

245.953 – Numri total i zgjedhësve të miratuar nga KQZ

194.889 – Numri total i zarfeve të shërbimit postar

147.024 – Numri total i zarfeve të numëruar

145.316 – Vota të vlefshme

1532 – Vota të pavlefshme

Shënim: Të dhënat për numërimin, votat e vlefshme dhe të pavlefshme nuk përfshijnë zarfet e mbërritura në KQZ nga shteti i Greqisë. Votat nga Greqia do të vlerësohen sipas vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve të datës 16 Maj 2025”, thuhet në njoftimin e KQZ.

A do të numërohen votat e Greqisë? KQZ merr vendimin për zarfet e mbërritura nga ky shtet

KQZ ka vendosur që votat e mbërritura nga Greqia, të cilat janë lënë pezull, do të numërohen pasi sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, nuk është gjetur asnjë parregullsi në këto kuti.

“Anëtarët e grupeve të numërimit kanë të drejtë të kontestojnë votat kur lexohen, dhe nuk kanë asnjë target tjetër ligjor.

Asnjë instancë tjetër zgjedhore, nuk kanë kompetencë procedurale për të shqyrtuar kërkesa apo pretendime për parregullsi të mundshme të procesit zgjedhore.

Kjo behet vetëm pasi të ketë përfunduar numërimi dhe  tabulimi i rezultatit”, u shpreh Celibashi pas mbledhjes teksa shpalli vendimin që numërimi të vijojë për diasporën, përfshirë dhe për Greqinë.

Votat e mbërritura nga Greqia u lanë pezull pas kërkesës së bërë nga PD drejtuar KQZ. Por pas këtij vendimi, PS e ankimoi në KAS, dhe ky i fundit i dha të drejtë.

Më pas PD kallëzoi KQZ, për të anuluar edhe një herë numërimin.

Vota preferenciale, në Tiranë garë mes 5 zonjave të PS-së për 2 mandate

Përveç vëmendjes në Tiranë ku PD-ja po lufton me Mundësinë për një mandat, apo në Fier, ku Lapaj pretendon një mandat të PS-së, një luftë e vërtetë për çdo votë po zhvillohet brenda zonjave të PS-së në listën e hapur të kryeqytetit.

Partia Socialiste ka marrë 19 mandate në Tiranë, ku 12 janë në listën e mbyllur dhe 7 në listën e hapur.

Sipas Kodit Zgjedhor nga këto shtatë mandate, 2 duhet të jenë gra për të plotësuar kuotat gjinore.

Teksa janë numëruar 913 nga 1282 kuti, rezulton se pesë zonja po luftojnë për dy mandate deputetësh.

Aktualisht Anila Denaj duket më e favorizuar, teksa ka grumbulluar 7468 vota, ndërkohë që në vendin e dytë, në kutitë e fundit të numëruara, është ngjitur Blerina Gjylameti me 5351 vota, ose 82 vota më shumë se Olta Xhaçka .

Në garë gjithashtu, por më pak të favorizuara janë edhe Kejsi Elezi, e cila ka marrë numrin më të madh të votave në Kavajë dhe Etilda Gjonaj.

Numërimi i votave për kandidatët e listës së hapur, Gjirokastra fut në Kuvend Tërmet Peçin, lë jashtë Arben Ristanin

Vijon numërimi i votave për kandidatët në qarkun e Gjirokastrës, qark i cili i dha 3 mandate Partisë Socialiste dhe 1 asaj Demokrate.

Ndërkohë sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lista e hapur PS do të fusë në Kuvendin e ri dy deputetë.

Deri tani janë numëruar 197 kuti nga 198 në total, ku rezulton se më të votuarit në këtë qark për PS nga lista e hapur janë Tërmet Peçi dhe Piro Dhima.

Ndërkohë PD nuk fut asnjë deputet nga lista e hapur për këtë qark, duke lënë jashtë ish-kreun e KQZ-së Arben Ristanin.

PS 2 mandate nga lista e hapur:

1 Tërmet Peçi 9458
2 Piro Dhima 6902

PS 10 mandate në Elbasan, kush janë emrat nga lista e hapur që pritet të futen në Kuvend! 4 deputetë mbeten jashtë

Në Elbasan Partia Socialiste do të çojë në Kuvend edhe pesë deputetë të listës së hapur, përveç atyre pesë të listës së mbyllur.

Nga të dhënat zyrtare të KQZ-së rezulton se janë numëruar 505 nga 508 kuti votimi të votave preferenciale, ku më e votuara deri tani rezulton Sara Mila.

Në listën fituese janë edhe Sajmir Hasalla dhe Olsi Komici, ndërkohë që jashtë kanë mbetur deputetët Shkëlqim Bullari, Luan Duzha, Desantila Tahiraj dhe Florenc Spaho.

Ndërsa demokratët do të fusin vetëm katër nga pesë deputetët e listës së mbyllur.

Lista e PD
Tomor Alizoti (listë e mbyllur)
Edmond Haxhinasto (listë e mbyllur)
Klodiana Çapja (listë e mbyllur)
Blendi Himçi (listë e mbyllur)

Lista e PS
Arbjan Mazniku (listë e mbyllur)
Bora Muzhaqi (listë e mbyllur)
Ermal Elezi (listë e mbyllur)
Adi Qose (listë e mbyllur)
Evis Kushi (listë e mbyllur)

1 Sara Mila 18626
2 Saimir Hasalla 9361
3 Olsi Komici 9020
4 Aulona Bylykbashi 8315
5 Agron Gaxho 5969

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat