LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Shqipëria

LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Më: 11 maj 2025 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 11:50 më 11.05.2025
Kuti të votimit

Voton Agron Shehaj, apel qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhje: Sot dëgjohet zëri i qytetarëve

Kreu i partisë “Mundësia” Agron Shehaj dhe bashkëshortja e tij ushtruan sot të drejtën e votës, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Në një deklaratë për mediat pas votimit, Shehaj i bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Agron Shehaj: Sot është një ditë e rëndësishme sepse sot kemi mundësinë të votojmë për të ardhmen. Sot dëgjohet zëri i qytetarëve, për katër vitet e ardhshme pushteti nuk ka për ë dëgjuar më qytetarët, kështu që prandaj është e rëndësishme që të votojmë të votojmë për ndryshimin, të votojmë për të ardhmen.

Kujtojmë se më herët votuan kreu i PD-së Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, kryeministri Rama dhe bashkëshortja.

“Ke sjellë njerëz tek shtëpia ime”, qytetarët përplasen me Nokën dhe Vokshin në Vorë, votuesi: O mashtrues!

Qytetarja: Një demokrat nuk e bën gishtin kështu.

Qytetari: E gjeni një qytetar të Vorës të pranojë fjalët e këtij, është mashtrues

Noka: Do ta shohim pas 11

Qytetari: Pas 11 e pas 12. Ke sjellë njerëz tek shpia, jam Bert Xhabafti. Uën shkoj me votu ti thua mos hy këtu. Ore mashtrues. Si më sjell njerëz të pish kafe me mu.

Nuk ju dua se keni vrarë njerëz dhe fëmijë. Unë kam ardh me avion me votu.

Sherri fizik në qendrën e votimit në Pogradec, nënkryetari i KZAZ: Komisionerët nuk ranë dakord për…

“KZAZ jonë ka një njoftim që në qendrën e votimit 3901 pranë shkollës Esat Minarolli në Pogradec është regjistruar një incident.

Zanafilla ka qenë mosdakordësia e komisionerëve në shoqërimin e një personi tjetër i paautorizuar i cili ishte i verbër dhe nuk mund të votonte dot.

Në këtë moment kishte nisur ky konflikt, personi që shkaktoi incidentin është shoqëruar në polici, pritet të zbulohen rrethanat e ngjarjes. Votimi po vijon normalisht, ka pasur vetëm një ndërprerje disa minutësh pas ngjarjes.

Personat që janë të paaftë për të votuar duhet të kenë një mjet identifikimi që tregon për problemin që kanë, njëkohësisht duhet të kenë me vete një certifikatë familjare në të cilën të jetë personi që do ta ndihmojë gjatë procesit të votimit”, tha nënkryetari i KZAZ 70-Armand Agolli, deklaratë mbi rastin.

KQZ publikon shifrat, ja sa ishte pjesëmarrja deri në orën 11:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat për pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 11.

Që prej momentit kur u hapën qendrat në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 16.76% nga 2559 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ.

Krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, ka një rritje me rreth 2% më shumë.

Ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të para katër viteve, pjesëmarrja deri në orën 11 ka qenë 20.81%.

Problematikat e para/ Kreu i KQZ-së: Janë 8% e qendrave të votimit që janë hapur me vonesë, shqetësim prezenca e përfaqësuesve të partive

Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat tregoi problematikat e para, që janë hasur në terren mbi procesin zgjedhor.

Ai theksoi se ka pasur vonesa në 8% të qendrave të votimit, ndërsa listoi si shqetësim dhe prezencën e aktorëve të partive, në qendrat e votimit.

“Nuk kemi asnjë qendër votimi të pahapur dhe të bllokuar. Nga përpunimi që kemi bërë. Janë 8% e qendrave të votimit që janë hapur me vonesë, rreth orës 08:00.

Në 5% në qendrave të e votimit nuk kanë qenë të pranishëm të shtatë anëtarët e qendrës së votimit, ka patur kuorum prej katër anëtarësh, por s’kanë qenë të gjithë. Në të gjitha qendrat e votimit kanë qenë prezentë vëzhgues të partive dhe të tjerë.”, tha ai.

A do të shtyhet orari i votimit në Vlorë? Ja si përgjigjet Celibashi

Në Vlorë këtë të dielë po mbahet dhe eventi sportiv “Giro d’Italia”, e cila për shkak të masave për kufizimin e disa akseve rrugore ndikon në procesin e votimit.

Për këtë arsye PS kërkoi shtyrje orarit të votimit.

Në lidhje me këtë kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, tha se shqyrtimi i kësaj kërkese i takon Komisionit Rregullator. Celibashi shtoi se në momentin që qendra e votimit është duke u mbyllur, qendra nuk mbyllet deri kur të mbaroje qytetari i fundit.

“Sa i përket shtyrjes së orarit të votimit. Po kemi marrë një kërkesë, në fakt është kompetencë e Komisionit Rregullator për të vendosur mbi këtë kërkesë. Nëse ata vlerësojnë se ka vend për të disponuar me një mënyrë apo me një tjetër për të disponuar mbi këtë kërkesë e vendosin ata. Kodi përcakton qartë. Nëse në momentin që qendra e votimit është duke u mbyllur, qendra nuk mbyllet deri kur të mbaroje qytetari i fundit”, tha kreu i KQZ.

Votimet në rang vendi për zgjedhjet e 11 Majit, ja qarku ku ka më shumë pjesëmarrës

Sipas, përditësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në votime në rang vendi deri orën 10:00 ka qenë 13.54%.

Raportimi për pjesëmarrjen është bërë vetëm nga 1983 prej 5225 qendrave të votimit në total.

Deri më tani kanë votuar 179346 nga 1324516 zgjedhës në listën e QV-ve të raportuara.

Ndërkohë qarku me numrin më të madh të pjesëmarrësve në votime deri më tani është ai i Dibrës me 15.34%.

Dibra ndiqet nga Qarku i Tiranës me 14.93% dhe ai i Lezhës me 14.22%.

“Njëshat nuk ka regjim që i ndal”- Elda Hoti reagon pas arrestimit të bashkëshortit

Demokratja Elda Hoti ka bërë një postim në rrjetin e saj social Facebook, vetëm pak orë pas arrestimit të bashkëshortit të saj, Ladi Ndoji.

Policia vendosi në pranga Ladi Ndoji, bashkëshortin e deputetes së PD-së Elda Hoti dhe 25-vjeçarin Amarildo Jushin, pasi akuzohen se i bllokuan rrugën një makine me pretendimin se po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.

Në postimin e saj në rrjetin social, Eld Hoti shkruan se “asnjë polici politike, asnjë strukturë kriminale dhe asnjë zëdhënës i krimit të organizuar nuk do të mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim. Ditët e frikësimit, fabrikimeve dhe shtypjes së zërit opozitar janë drejt fundit’.

Hoti hedh akuza ndaj Ulsi Manjës. Sipas demokrates Ulsi Manja po përdor Policinë e Shtetit për interesa të pushtetit.

“Ulsi Manja dhe çdo vegël politike që përdor Policinë e Shtetit për interesa të pushtetit do të mbajnë përgjegjësi për çdo veprim të paligjshëm, për çdo tentativë për të frikësuar qytetarët që duan një të ardhme më të mirë.

Këto manovra janë të dështuara sepse fuqia e popullit nuk ndalet nga asnjë makineri represive.

Ata që blene vota dhe shantazhuan votuesit, janë të lirë dhe po rendin nga qendra në qendër votimi, Aleksander Dodaj, Renuar Kolaj dhe të gjithë kriminelët elektoral, i keni bërë llogaritë gabim”.

Postimi i plotë

Asnjë polici politike, asnjë strukturë kriminale dhe asnjë zëdhënës i krimit të organizuar nuk do të mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim. Ditët e frikësimit, fabrikimeve dhe shtypjes së zërit opozitar janë drejt fundit.

Ulsi Manja dhe çdo vegël politike që përdor Policinë e Shtetit për interesa të pushtetit do të mbajnë përgjegjësi për çdo veprim të paligjshëm, për çdo tentativë për të frikësuar qytetarët që duan një të ardhme më të mirë.

Këto manovra janë të dështuara sepse fuqia e popullit nuk ndalet nga asnjë makineri represive.

Ata që blene vota dhe shantazhuan votuesit, janë të lirë dhe po rendin nga qendra në qendër votimi, Aleksander Dodaj, Renuar Kolaj dhe të gjithë kriminelët elektoral, i keni bërë llogaritë gabim. Njëshat nuk ka regjim që i ndal

Qytetarë, mos harroni gjithçka ju kanë bërë këto 12 vite.

“S’ka burrë nëne…”, përplasje fizike mes komisionerëve në këtë qytet, ndërhyn policia, pezullohet votimi

“S’ka burrë nëne”, është dëgjuar të thotë njëri prej tyre.

Sipas komisionerëve të pranishëm, komisionerët e PD janë ankuar se ata të PS kanë filmuar votat e qytetarëve.

“Në mëngjes kanë ardhur anëtarët bashkë me sekretarin dhe kryetarin, anëtari i PD ka kërkuar të mbyllen kamerat, në atë moment ka ndodhur përplasja e parë. Më pas u mbyllën kamerat. Ka pasur pretendime nga anëtari i PD se ai i PS po bënte foto”, ka thënë njëri prej komisionerëve.

Pas këtij incidenti, votimi është pezulluar.

I shoqëruar nga gruaja dhe vajza, voton Oerd Bylykbashi: Momenti kur politika duhet të qëndrojë e heshtur për të dëgjuar verdiktin e zgjedhësve

Oerd Bylykbashi ka shkuar në qendrën e votimi së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e vogël.

Pas votimit, në një prononcim për media, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në votim, ndërsa tha se sot është momenti “kur politika duhet të qëndrojë e heshtur për të dëgjuar verdiktin e zgjedhësve.”

Bylykbashi: Është ditë e jashtëzakonshme për të gjithë Shqipërinë. Thirrja ime është që të dalin të gjithë të votojnë masivisht. Të votojnë për veten dhe familjet e tyre.

Vota e tyre është e ardhmja. Vetëm me votë mund të vendosin ata për të ardhmen. Momenti kur politika duhet të qëndrojë e heshtur për të dëgjuar verdiktin e zgjedhësve, por po aq është shumë e rëndësishme që zbatimi i ligjit të garantojë votën.

Vota është e fshehtë! Çdo përpjekje për të intimiduar zgjedhësit se vota e tyre do të lexohet paraprakisht është e pavërtetë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat