“S’po respektohet renditja”, probleme në qendrën e votimit në Lushnjë/ Sekretari i PD nuk ulet në tavolinë
Probleme ka edhe në qytetin e Lushnjës që në orët e para të mëngjesit.
Në Lushnjë QV 28/65 nuk ka filluar votimi pasi nuk punon kamera e pajisje PEI .
Ndërkohë që sekretari i PD nuk ulet në tavolinë me pretendimin se nuk respektohet renditja në karrige.
Hapen qendrat e votimit, vonesa me votimin elektronik në Vorë dhe njësinë 10 në Tiranë
Në orën 07:00 ka nisur zyrtarisht procesi i votimit në të gjithë vendin.
Por duket se që në fillim procesi ka hasur në problematika.
Në Vorë dhe në njësinë 10 në Tiranë ku votohet elektronikisht ende nuk ka nisur votimi edhe pse ka mbërritur orari zyrtar i votimit.
Voutesit kanë pasur vështirësi në qasjen e votimit elektronik.
Por pas disa minutash pajisja elektronike është rregulluar
Probleme në një nga qendrat e votimit në Fushë Krujë, mungojnë dy anëtarë të komisionit
Në qendrën e votimit 1303/1 në Fushë Krujë nuk ka nisur ende procesi i votimit ndonëse ora shënon 07.00.
Në këtë qendër mungojnë dy anëtarë të cilët nuk janë paraqitur ende.
Në qendrën e votimit 130300 në Fushë Krujë po ashtu mungon një anëtare.
Procesi nuk ka nisur ende.
Nis votimi për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit
Prej orës 07:00, qytetarët u janë drejtuar qendrave të votimit për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetutese për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.
Të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713 mijë shtetas shqiptarë, prej tyre rreth 246 mijë janë regjistruar që të votojnë nga jashtë.
Ndërkohë që rreth 115 mijë zgjedhës votojnë për herë të parë. Në të gjithë Shqipërinë janë 5225 qendra votimi.
Këto zgjedhje vijnë me disa risi, pasi për herë të parë emigrantët kanë patur mundësinë të votojnë nga jashtë, ndërsa listat e kandidatëve janë një miksim mes listës së hapur dhe listës së mbyllur.
Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë dhe në garë janë 2.046 kandidatë, për 140 vende në parlament.
Zgjedhjet parlamentare/ Shqipëria voton sot
Qytetarët e Shqipërisë sot do t’i drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur qeverinë që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.
Sot më 11 maj, mbi 3.7 milionë shqiptarë të regjistruar me të drejtë vote do tu drejtohen rreth 5 mijë qendrave të votimit, për të vendosur për Kuvendin e ri dhe qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë.
E në këto zgjedhje për herë të parë voton edhe diaspora me rreth 245 mijë emigrantë të regjistruar.
Në garë janë 11 subjekte apo koalicione politike që garojnë me 2 mijë e 46 kandidatë për 140 vende në Kuvendin e Shqipërisë.
Beteja më e fortë në këto zgjedhje është mes dy forcave më të mëdha politike, Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama dhe Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha.
Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, KQZ, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë ngritur një Task-Forcë të përbashkët për të garantuar një proces të qetë zgjedhor.
Gjithashtu, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash dhe ka trajnuar pjesëtarë të policisë e specialistë për hetimin e krimeve zgjedhore dhe ruajtjen e objekteve zgjedhore.
Për këto zgjedhje është miratuar një sistem i ri zgjedhor, që përfshin një kombinim të listave të mbyllura dhe të hapura.
Në Shqipëri janë 12 zona zgjedhore dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga 3 mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në numrin më të madh të mandateve, në 37 për Qarkun e Tiranës.
Në rang vendi, çdo subjekt zgjedhor ka kandiduar 46 emra në listën e mbyllur dhe 140 të tjerë për listën e hapur. Ata janë të shpërndarë sipas qarqeve në varësi të mandateve.